Fundjavën që shkoi në Pukë është zhvilluar kampionati kombëtar i boksit për grupmoshën U19 ku kanë marrë pjesë të gjithë ekipet e vendit me sportistët e tyre më të mirë. Vllaznia e drejtuar nga trajnerër Lazarin Vila dhe Besjor Gjetaj u përfaqësua me tre sportistë nga të cilët dy prej tyre u shpallën kampionë kombëtare në peshat e tyre.
Kështu Klevis Alibali në peshën 75 kg fitoi në gjysmëfinale përballë Dinant Hakaj (Tirana) duke siguruar kalimin në finale. Në luftën për titullin kampion ai është ndeshur me boksierin tjetër të Tiranës Marsio Hoxha ndaj të cilit ka triumfuar dhe në këtë mënyrë është shpallur kampion i Shqipërisë. Njëkohësisht ky sportist është shpallur boksieri më fair play i kampionatit.
Boksieri tjetër i Vllaznisë Kledison Gurraj ka konkurruar në peshën 86 kg dhe në finale është ndeshur me sportistin e Tiranës Eldi Gjypi dhe ka zhvilluar një ndeshje të mirë duke e fituar atë dhe duke u shpallur kampion i Shqipërisë për këtë vit.
Sportisti tjetër shkodran Arol Hoxha ka konkurruar në peshën 63 kg por pa mundur dot të shkojë në finale sepse në gjysmëfinale ka humbur ndaj boksierit Ledion Rata të Tiranës. Në këtë mënyrë me 2 vende të para dhe 1 vend të tretë ekipi Vllaznia U19 është renditur në vendin e tretë në kampionat.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


