Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Arafat Doumbia nuk do të jetë pjesë e Vllaznisë në Kupat e Europës. Pavarësisht zërave që e lidhnin mesfushorin nga Bregu i Fildishtë me një kalim te skuadra shkodrane, një lëvizje e tillë nuk do të realizohet.
Burime pranë palëve që janë marrë me këtë çështje bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se nuk do të ketë as huazim të futbollistit te kuqeblutë, ndërsa ai do të vazhdojë të jetë pjesë e Partizanit.
Kështu, Doumbia do ta vijojë aventurën e tij me “Demat”, duke mbetur në dispozicion të ekipit kryeqytetas edhe për sezonin e ri. Vllaznia kishte shqyrtuar mundësinë e afrimit të mesfushorit për të shtuar alternativat në repartin e mesfushës, por ky operacion nuk do të konkretizohet.
Si rrjedhojë, drejtuesit e klubit shkodran do të vijojnë kërkimet në merkato për një tjetër profil, me synimin për të plotësuar nevojat e skuadrës para ndeshjeve europiane dhe nisjes së kampionatit.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


