Friday, July 3, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPërgatitjet e Conference League, Vllaznia 'relaksohet' para duelit me Malishevën

Përgatitjet e Conference League, Vllaznia ‘relaksohet’ para duelit me Malishevën

Shkruar nga Endri ÇINARI

Numërimi mbrapsht për debutimin europian ka nisur dhe Vllaznia po hyn në javën më të rëndësishme të kësaj vere. Pas disa javësh përgatitjesh intensive jashtë vendit, kuqeblutë pritet të rikthehen në Shkodër, aty ku do të zhvillojnë edhe seancat e fundit stërvitore përpara sfidës së parë të UEFA Conference League ndaj Malishevës.

Sipas asaj që mësohet, stafi teknik ka vendosur që menjëherë pas rikthimit në Shkodër, futbollistët të përfitojnë dy ditë pushim. Një vendim i menduar për t’u dhënë lojtarëve mundësinë të rikuperohen fizikisht dhe mendërisht pas ngarkesave të larta të kësaj periudhe, por edhe për të shmangur lodhjen e tepërt në prag të sfidave zyrtare.

Pas këtyre dy ditëve, skuadra do t’i rikthehet fushës stërvitore, megjithatë ritmi i punës nuk do të jetë në nivelet maksimale. Stafi teknik synon të administrojë me kujdes ngarkesën fizike të futbollistëve, në mënyrë që të shmangë dëmtimet nga mbingarkesa në një moment tepër delikat të sezonit. Fokus kryesor do të jetë freskia fizike e ekipit dhe përgatitja taktike për ndeshjen e parë europiane.

Vëmendja tashmë është e gjitha te debutimi në raundin e parë të UEFA Conference League. Më 9 korrik, Vllaznia do të zbresë në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”, ku do të përballet me Malishevën në sfidën e parë zyrtare të sezonit 2026-2027. Një takim me rëndësi të madhe për kuqeblutë, të cilët synojnë ta nisin me këmbën e mbarë rrugëtimin europian përpara tifozëve të tyre.

Ditët që kanë mbetur deri në këtë sfidë do të shfrytëzohen për të sistemuar detajet e fundit, me objektivin që Vllaznia të paraqitet në formën më të mirë të mundshme. Edhe pse faza përgatitore ka evidentuar disa probleme, besimi në kampin kuqeblu mbetet se skuadra do të jetë gati për të dhënë maksimumin në takimin ndaj Malishevës.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments