Thursday, August 6, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREI dëmtuar prej 6 muajsh, Kastrati ngelet futbollisti më i shtrenjtë tek...

I dëmtuar prej 6 muajsh, Kastrati ngelet futbollisti më i shtrenjtë tek Vllaznia

Shkruar nga Endri ÇINARI

Edhe pse prej më shumë se gjashtë muajsh vazhdon të jetë jashtë fushave të blerta për shkak të dëmtimit, Lirim Kastrati mbetet futbollisti me vlerën më të lartë të tregut në radhët e Vllaznisë. Sulmuesi kuqeblu vlerësohet me 300 mijë euro, një shifër që konfirmon cilësitë dhe potencialin e tij, pavarësisht periudhës së gjatë pa aktivitet. Besimi te Kastrati mbetet i madh, ndërsa në Shkodër shpresojnë që rikthimi i tij të sjellë edhe njëherë kontributin që ai ka treguar në të kaluarën.

Në të njëjtën vlerë prej 300 mijë eurosh renditet edhe Bruno Brajkoviç. Mbrojtësi kroat, i afruar gjatë merkatos së kësaj vere, konsiderohet një nga përforcimet më cilësore të skuadrës dhe menjëherë është pozicionuar në krye të listës së futbollistëve më të shtrenjtë të Vllaznisë. Kjo tregon pritshmëritë e larta që ekzistojnë për 25-vjeçarin, pavarësisht se në periudhën para nisjes së sezonit të ri, ai nuk ka bindur ende 100% me performancat në fushën e lojës.

Menjëherë pas dyshes Kastrati-Brajkoviç vijnë disa prej emrave më të rëndësishëm të organikës kuqeblu. Rijad Kobiljar, Jasmin Çelikoviç dhe zëvendës kapiteni Erdenis Gurishta vlerësohen secili me nga 250 mijë euro, duke formuar grupin e futbollistëve me vlerën më të lartë pas dy kryesuesve. Bëhet fjalë për lojtarë me eksperiencë dhe rol kyç në skuadër, nga të cilët pritet të mbajnë peshën kryesore në objektivat e sezonit.

Në përgjithësi, vlerat e futbollistëve të Vllaznisë tregojnë se skuadra ka në përbërje elementë me potencial të konsiderueshëm, edhe pse shumica e afrimeve janë bërë pa shumë bujë. Tashmë mbetet që këto vlera të pasqyrohen edhe në fushën e lojës, aty ku kuqeblutë synojnë të ndërtojnë një sezon të suksesshëm dhe të rivalizojnë denjësisht në Superiore.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments