Klubi i Ballkanit ka marrë “goditje të fortë” që në fillim të sezonit. Mislav Karoglan ka ndërprerë kontratën befasisht me ekipin nga Suhareka, ndërsa në përshkrim e klubit u tha për arsye personale.
Karoglan ka treguar edhe pse ka zgjedhur këtë vendim drastik, pikërisht sapo kishte nisur kampionati. “Fillimisht, dua të qartësoj opinionin se dorëheqja ime nuk ka të bëjë me asgjë, pos me arsye personale!
Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për familjen Kabashi, e cila më dha mundësinë të jem në krye të këtij klubi dhe të jem pjesë e futbollit në Kosovë.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë lojtarët, stafin dhe secilin person brenda klubit për bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe.
Faleminderit edhe tifozëve për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme. Ishte kënaqësi të jem pjesë e kësaj familjeje dhe të ndaj me ju këtë eksperiencë. Mirupafshim dhe ju uroj nga zemra shumë suksese në të ardhmen”, fjalët e kroatit.
44-vjeçari kroat u “projektua” si pasuesi ideal për të vazhduar sukseset që Ilir Daja arriti me suharekasit, por nuk rezultoi kështu. Tashmë, Ballkani është vendosur në kërkim për një trajner të ri, ndërsa nesër luan kundër Drenicës, java e 3-të në Superligën e Kosovës.


