Shkruar nga Gjergj KOLA
Historia e sportit shkodran ka patur në rradhët e tij shumë emra që kanë lënë gjurmë me kontributin e tyre si sportistë, por edhe si trajnerë. Ka prej atyre që i kanë bërë të dyja duke dhënë një kontribut të madh për sportin dhe njëri prej këtyre emrave padyshim që është edhe Skënder Osmani.
Po ndalemi sot tek ky personazh i njohur i sportit të basketbollit sepse kjo ditë përkon me atë të 90 vjetorit të lindjes së tij dhe prandaj është momenti më i mirë për ta rikthyer sërish në vëmendjen e lexuesve të Gazeta “Shkodra Sport” dhe gjithë spordashësve një figurë të tilllë, citon www.shkodrasport.com
Skënder Osmani ka lindur në Shkodër më 27 nëntor 1936 dhe me sportin e basketbollit, nisur edhe nga shtatëlartësia ee tij e madhe, do të lidhej në fillimin e viteve ’50 duke iu bashkuar ekipit të të rinjve të Vllaznisë dhe pak vite më vonë do t’i bashkohej ekipit të të rriturve duke qenë përkrah emrave të tillë si Esat Haxhi, Muhamet Sokoli, Vehbi Ademi, Luan Shatku, Sandër Laca e Ali Quku. Ka luajtur si lojtar qendre dhe është dalluar së tepërmi për lojën e tij në tabelë duke qenë një pikë e fortë për ekipin shkodran.
Si pjestar i Vllaznisë do të fitonte Kupën e Republikës fillimisht në vitin 1957 dhe më pas edhe në vitin 1958 ndërkohë që në vitin 1959 do të zinin vendin e parë dhe do të meritonin medaljet e arta në Spartakiadën e Parë Kombëtare. Gjatë këtyre viteve, Skënderi ka qenë edhe pjesë e rregullt e kombëtares shqiptare nën drejtimin e trajnerit Naim Pilku duke qenë rregullisht pjesë e pesëshees së parë, madje edhe në Kampionatin Ballkanik që u zhvillua në Bullgari në vitin 1960. Më parë kishte qenë pjesë e kombëtares edhe në ndeshjet eliminatore të Kampionatit Europian që u zhvilluan në vitet 1957-1958, shkruan Gazeta “Shkodra Sport”.
Në vitin 1964- 1965 ndërkohë kryen studimet në Universitetin e Tiranës në degën matematikë dhe si rrjedhojë vazhdon edhe sportin e basketbollit duke luajtur me ekipin e Dinamos. Do të kthehej më pas në Shkodër për të luajtur edhe pak kohë me Vllazninë dhe madje do ta bënte duke luajtur përkrah vëllait më të vogël në moshë- Petritit dhe në vitin 1966 do ta linte sportin.
Vetëm pak kohë pas mbylljes së karrierës si sportist, do të niste atë si trajner. E emërojnë trajner të basketbollit të ekipit të të rriturave të Vllaznisë, detyrë që e bën për një periudhë gati 10 vjeçare, duke stërvitur sportiste të tilla si Nën drejtimin e Skënder Osmanit doli në skenë një gjeneratë e re basketbollistesh të talentuara, ku spikatën emra si Artenca Tufi, Bardhylka Beshiri, Leman Fani, Valdete Lipe, Xhane Gega, Belkize Këçiçi, Izabela Gera, Zyliha Ymeri dhe Belkize Bajrami.
Pas transferimit si mësues në Velipojë, do të largohej edhe nga drejtimi i këtij ekipi dhe këtu do të mbyllej rrugëtimi i tij në sport. Për kontributin e tij si basketbollist është nderuar me titullin “Mjeshtër Sporti”, por nuk i kanë munguar edhe të tjera vlerësime nga institucione të ndryshme.
Skënder Osmani ka ndërruar jetë më 1 mars 2015 në moshën 78 vjeçare, duke lënë pas një emër shumë të mirë si sportist, trajner dhe kontribues për ngjyrat kuqeblu të Vllaznisë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


