Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia po përgatitet për sfidën e parë zyrtare të sezonit, atë ndaj Malishevës në turin e parë të Conference League, mes shumë pikëpyetjeve që lidhen me federimin e futbollistëve të afruar gjatë merkatos së verës. Pikërisht kjo situatë ka detyruar stafin teknik të kuqebluve të punojë paralelisht me dy variante të ndryshme të formacionit, në pritje të zhvillimeve që mund të vijnë deri në orët e fundit përpara ndeshjes. Afati për regjistrimin e lojtarëve mbyllet në mesnatën e së mërkurës dhe deri atëherë gjithçka mbetet e hapur.
Trajneri Edi Martini ka ndërtuar planin e tij mbi dy skenarë. Nëse procedurat për federimin e afrimeve të reja përfundojnë me sukses, Vllaznia pritet të zbresë në fushë me Jukajn në portë. Reparti mbrojtës do të përbëhet nga Pusi, Gurishta dhe Çelikoviç, ndërsa në krahë do të aktivizohen Bardhi në të djathtë dhe Musta në të majtë. Në mesfushë pritet të jenë Qato, Dros dhe Murataj, ndërsa dyshja sulmuese do të përbëhet nga kapiteni Bekim Balaj dhe Rrok Toma.
Megjithatë, në rast se dokumentacioni i disa prej afrimeve nuk përfundon në kohë, Martini ka gati edhe planin “B”. Edhe në këtë variant porta do t’i besohet Jukajt, ndërsa në prapavijë do të rreshtohen Gurishta, Çelikoviç dhe Pusi. Në krahë do të aktivizohen Aris Ara dhe Herald Marku, me mesfushën që mbetet e pandryshuar falë treshes Qato-Dros-Murataj. Në repartin ofensiv, Balaj do të ketë përkrah Gerald Kubazin, duke ndryshuar kështu fizionominë e sulmit kuqeblu.
Kjo situatë ka bërë që Vllaznia të zhvillojë përgatitjet e fundit duke punuar njëkohësisht me të dyja alternativat, në mënyrë që skuadra të jetë e gatshme pavarësisht vendimeve që do të merren në orët e fundit. Për stafin teknik ka qenë e pamundur të konsolidojë një formacion të vetëm, pasi gjithçka lidhet me çështjet administrative dhe jo me aspektin teknik.
Për momentin, në kampin kuqeblu nuk ka ende një vendim përfundimtar mbi njëmbëdhjetëshen që do të nisë sfidën ndaj Malishevës. Vetëm pas mbylljes së afatit të federimeve dhe konfirmimit zyrtar të listës së lojtarëve të gatshëm, Martini do të vendosë se cilit prej dy planeve do t’i besojë për debutimin sezonal në arenën europiane. Deri atëherë, formacioni i Vllaznisë mbetet një enigmë që pritet të marrë përgjigje vetëm në momentet e fundit.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


