Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia do të zbresë në fushë ndaj Elbasanit me disa mungesa të rëndësishme, që e komplikojnë edhe më shumë punën e trajnerit Edi Martini në prag të kësaj sfide. Shkodranët kërkojnë reagimin pas barazimit 2-2 me Skënderbeun, por do të duhet ta bëjnë këtë pa disa prej lojtarëve që ishin ose pritej të ishin alternativa të vlefshme për skuadrën.
Mungesa e sigurt në mesfushë është ajo e Rijad Kobiljar. Mesfushori boshnjak është larguar drejt Bahreinit, duke mbyllur në këtë mënyrë aventurën e tij me Vllazninë, ndonëse ishte titullar në javën e parë të kampionatit. Një largim që detyron stafin teknik të gjejë një zgjidhje tjetër për repartin e mesfushës.
Po ashtu, Erdenis Gurishta do të mungojë për shkak të pezullimit që e shoqëron nga sezoni i kaluar. Mbrojtësi shkodran nuk e ka shlyer ende plotësisht dënimin dhe për këtë arsye nuk do të jetë në dispozicion të Martinit për përballjen ndaj Elbasanit.
Lista e mungesave plotësohet edhe me Kastrati, i cili vazhdon të jetë i dëmtuar, ndërsa jashtë kësaj sfide do të jetë edhe mbrojtësi nga Haiti, Dulysse. Ky i fundit është i pezulluar pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut, duke i shtuar një tjetër problem repartit mbrojtës.
Kështu, Martini duhet të mendojë alternativat e duhura për të zëvendësuar emrat që mungojnë. Në këto kushte, pritet që të ketë ndryshime edhe në formacionin titullar, me trajnerin shkodran që do të kërkojë zgjidhjet më të mira për të ndërtuar një skuadër konkurruese në një transfertë të vështirë.
Sfida ndaj Elbasanit vjen në një moment kur Vllaznia ka nevojë për reagim dhe për një rezultat pozitiv. Pavarësisht mungesave, kuqeblutë duhet të tregojnë se kanë alternativa dhe forcë për të përballuar vështirësitë, sidomos pas zhgënjimit të javës së parë, kur shpërdoruan avantazhin 2-0 dhe u ndalën në barazim ndaj Skënderbeut.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


