Bojkotoni dhe injorojeni FSHF-në dhe Dukën… Garoni në Superligën e Kosovës!
Bëj shkas nga ngjarjet e fundit në Elbasan, si dhe nga dorëheqja nga roli i presidentit të Vllaznisë së femrave i Lazër Matijës, njeriut më të suksesshëm në sportin shqiptar të pas viteve ’90: 13 herë kampion i vendit dhe pjesëmarrës deri në grupet e Champions League.
Por, nisur edhe nga të qenit prej vitesh objektivi kryesor i dënimeve të padrejta ndaj drejtuesve të saj, trajnerëve, lojtarëve, fushës e stadiumit, tifozëve e qytetit; nga arbitrimet kundër dhe tendencioze; nga padrejtësitë shumëvjeçare të të gjitha llojeve; nga qëndrimi i poshtër i mediave shqipfolëse ndaj klubit Vllaznia e Shkodrës si qytet etj., etj., do t’u rekomandoja SK Vllaznisë, Bashkisë së qytetit, Prefekturës, drejtuesve të sportit në këtë qytet, por veçanërisht skuadrave të tyre të futbollit, si dhe medias sportive shkodrane e shoqatave të tyre të tifozëve, që të mblidhen e të analizojnë gjithçka me kujdes dhe me përgjegjësinë e duhur.
Nëse edhe ata vetë, sikurse unë personalisht, binden se ky lloj përsekutimi i vazhdueshëm ndaj sportit shkodran dhe Shkodrës si qytet është i qëllimshëm dhe për qëllime të caktuara, atëherë nesër…
…të hyjnë në bisedime me Ministrinë e Sportit në Kosovë, Federatën e Futbollit të Kosovës dhe të gjitha strukturat përkatëse.
Me qëllim integrimin e SK Vllaznisë, meshkuj e femra, në garat e Superligës së Kosovës.
Nuk ka asnjë lloj pengese, përjashto pjesëmarrjen në kupat europiane, për të cilat në këtë rast nuk jam krejt i saktë e i qartë se si veprohet… Por e di me siguri që edhe për këtë duhet të ketë një zgjidhje.
Në basketboll, Shqipëria dhe Kosova e kanë një ligë të përbashkët dhe, mesa di unë, gjithçka prej vitesh po shkon mirë. Bravo atyre që e ideuan këtë gjë!
Ndaj, askush nuk na pengon dhe nuk na ndalon që në Superligën e Kosovës të kemi garuese edhe ekipe futbolli nga Shqipëria.
Le të shërbejë kjo braktisje prej FSHF-së dhe A. Dukës si mësimi i parë dhe si revoltë sportive e qytetare, krejtësisht e përligjur, e Vllaznisë, por edhe e krejt qytetit të Shkodrës… Si një grusht turinjve ndaj padrejtësive, të paaftëve, hajdutëve, xhambazëve e mafiozëve që prej vitesh e kanë kapur prej gryke dhe e kanë marrë peng sportin shqiptar e, veçmas, futbollin.
Ikja e Vllaznisë drejt Superligës së Kosovës, skuadrës së parë në historinë e futbollit shqiptar, e themeluar që në vitin 1919, jam më se i sigurt se do të bjerë si bombë në zyrat e banditëve të FSHF-së dhe Dukës.
Por, ama, besoj se do t’u thotë njëherë e mirë edhe STOP padrejtësive shumëvjeçare ndaj klubit shkodran!


