FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENë kërkim të fitores, ja si pritet të luajë Vllaznia sot kundër...

Në kërkim të fitores, ja si pritet të luajë Vllaznia sot kundër Partizanit

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia po i afrohet sfidës së radhës në kampionat ndaj Partizanit, një përballje që pritet të jetë një tjetër test i rëndësishëm për skuadrën shkodrane. Kuqeblutë do të kërkojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë dhe të synojnë fitoren e parë në këtë fillim kampionati, ndërsa trajneri Edi Martini duket se ka ende disa dilema për sa i përket formacionit titullar.

Në portë, zgjedhja duket më e qartë. Avram pritet ta nisë sërish nga minuta e parë, duke ruajtur vendin mes shtyllave. Ndërkohë, ndryshimi më i rëndësishëm pritet në repartin e mbrojtjes, ku rikthimi i Erdenis Gurishtës pas përfundimit të pezullimit i jep Martinit një tjetër alternativë të rëndësishme. Mbrojtësi shkodran pritet të jetë titullar dhe të formojë treshen difensive së bashku me Randi Dumfur dhe njërin mes Pusit e Latifit.

Pikërisht kjo duket se është një prej balotazheve që do të zgjasë deri në momentet e fundit. Pusi dhe Latifi po luftojnë për një fanellë titullari, me të dy futbollistët që kërkojnë të bindin trajnerin për të marrë një vend në formacion. Ndërkohë, në krahun e djathtë Bardhi momentalisht duket më i avantazhuar për ta nisur ndeshjen, ndërsa në të majtë Emiljano Musta mbetet një pikë e palëvizshme në planet e Martinit.

Edhe mesfusha mund të ketë një tjetër dilemë. Dros duket se e ka siguruar vendin e tij në formacion, ndërsa një tjetër emër që pritet ta nisë nga minuta e parë është edhe Sabion Bizi. Për vendin tjetër në mesfushë, megjithatë, gara mbetet e hapur mes Qatos dhe Mehmetit. Martini do të duhet të vendosë nëse do t’i besojë më shumë eksperiencës dhe ekuilibrit që ofron Qato, apo alternativës së Mehmetit.

Në repartin ofensiv, Bekim Balaj pritet të jetë sërish pika kryesore e sulmit. Sulmuesi veteran do të ketë detyrën për të udhëhequr fazën ofensive të kuqebluve dhe për të qenë rreziku kryesor për mbrojtjen e Partizanit. Pas tij, Edon Murataj pritet të ketë një rol të rëndësishëm, duke i dhënë skuadrës lëvizje, krijimtari dhe mbështetje në fazën sulmuese.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments