Momente frike janë regjistruar në sfidën mes Juve Stabia dhe Pisa-s, pasi mbrojtësi bullgar i skuadrës mike, Rosen Bozhinov, u rrëzua papritur në fushë pak pas minutës së 40-të. Futbollisti mbeti i palëvizur në tapetin e lojës, duke alarmuar menjëherë shokët e skuadrës dhe kundërshtarët.
Arbitri ndërpreu ndeshjen, ndërsa në fushë u fut stafi mjekësor për t’i dhënë ndihmën e parë.
Pas konsultimit mes arbitrit, kapitenëve dhe pjesëtarëve të dy pankinave, u vendos që takimi të ndërpritej përkohësisht. Bozhinov u nxor nga fusha me barelë dhe u transportua me ambulancë drejt spitalit San Leonardo, në Castellammare di Stabia.
Frika fillestare për një problem të rëndë shëndetësor u zbut më pas, pasi sipas informacioneve të Lega B, gjendja e futbollistit ishte shkaktuar nga dehidratimi i rënduar, i cili solli edhe konvulsione.
Sipas të njëjtave burime, Bozhinov ka qenë gjatë gjithë kohës i vetëdijshëm.
Mbrojtësi bullgar vijon të qëndrojë në spital nën monitorim. Buletini mjekësor bën të ditur se ai është zgjuar, i vetëdijshëm dhe me parametra jetësorë të qëndrueshëm.
“Bozhinov aktualisht është vigjilent, i vetëdijshëm dhe me parametra jetësorë të qëndrueshëm. Do të qëndrojë i shtruar për vëzhgim, në mënyrë që të përfundojnë ekzaminimet diagnostikuese”, thuhet në njoftimin e mjekëve.


