Shkruar nga Namik MEHMETI
Që në javën e parë të kampionatit, Vibonese ka afirmuar ambiciet e saj, duke treguar se edhe në fushat kundërshtare, si ajo e Trapanit, është në gjendje të përballojë çdo sfidë. Rezultati 0-4 në favor të Vibonese-s flet qartë për atë që ndodhi në fushë.
Në këtë fitore, pa dyshim që ka edhe kontributin e mbrojtësit me origjinë shqiptare, Gerard Mirashi, të cilit trajneri Salvatore Marra i besoi aktivizimin që nga minutat e para.
Vlerësimet për të gjithë futbollistët e Vibonese-s janë në maksimum. Pa dyshim, golashënuesit Marciko, autor i dy golave, si dhe Coseney e Rioko, janë ndër më të vlerësuarit në komentet pas ndeshjes. Por edhe Mirashi nuk mbetet pas shokëve të tij. Ai vlerësohet me notën 6.5, për një paraqitje si një lider, gjithmonë i fortë në repartin e mbrojtjes, por edhe i dobishëm në kundërsulme dhe në mbështetje të fazës ofensive.
Ky fillim i mbarë i Vibonese-s në Serinë D e angazhon edhe më shumë mbrojtësin shtatlartë Mirashi për të vijuar stërvitjen dhe për të ruajtur formën sportive, me synimin për të hedhur një hap të sigurt në afirmimin e tij në futbollin italian. Konkurrenca nis pikërisht në këto ekipe rajonale, ku synimi është të fitosh hapësirë dhe më pas të ngjitesh gjithnjë e më lart.
Dhe Gerard Mirashi po e demonstron këtë që në javën e parë. Trajneri Marra nuk është zhgënjyer nga performanca e ekipit të tij dhe veçanërisht nga ajo e mbrojtësit shqiptar.
Vetëm fakti që porta e Vibonese-s mbeti e paprekur për 90 minuta tregon se Mirashi është përshtatur mirë me shokët e tij në repartin mbrojtës. Organizimi dhe harmonia në këtë repart kanë qenë një prej pikave të forta të skuadrës në këtë debutim.
Mirashi shprehet për “Shkodra Sport” se ky edicion do të jetë një mundësi e mirë për rritjen e tij, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë teknik. Një garanci për të është edhe harmonia që zotëron në këtë ekip, ku mbrojtësi shqiptar duket se ndihet mjaft komod.
Një debutim pozitiv, një fitore bindëse e Vibonese-s dhe një Gerard Mirashi që nis të japë sinjalet e para të një sezoni ku objektivi kryesor mbetet rritja dhe afirmimi në futbollin italian.
Firenze- Itali


