Të tjera përforcime cilësore për ekipin e Veleçikun në prag të nisjes së kampionatit të ri. Ditët e fundit me të është bashkuar edhe mesfushori shkodran Suad Bega.
Për të është një rikthim tek kjo skuadër pas 4 vitesh dhe padyshim që nuk do të ketë nevojë shumë për t’u përshtatur sepse e njeh ambientin, njeh trajnerin Duli, por edhe një pjesë të mirë të lojtarëve me të cilët ka luajtur edhe më përpara.
Bega luan si mesfushor qendre dhe sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Besëlidhjes duke kontribuar në ngjitjen e saj në kategorinë e parë. Pas përfundimit të sezonit, 31 vjeçari e ka ndërprerë bashkëpunimin me lezhjanët dhe tashmë është pjesë e Veleçikut.
Suad Bega ka qenë pjesë e Akademisë Vllaznia e më pas ka luajtur me ekipin Vllaznia B, para se të kalonte tek Veleçiku. Më pas u transferua tek Labëria, për të vijuar me Orikun dhe së fundi tek Besëlidhja. Tashmë vjen tek Veleçiku me dëshirën për të dhënë më të mirën për këtë skuadër.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


