Shkruar nga Gjergj KOLA
Një lajm të trishtë kemi mësuar mbrëmjen e sotme. Është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare ish- futbollisti i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare. Ai ka pësuar një infarkt dhe pavarësisht dërgimit në spital, nuk ia ka dalë duke i dhënë lamtumirën familjes, njerëve të tij të afërt dhe kolegëve të futbollit.
Ismet Hoxha ka lindur në Shkodër më 23 mars 1948 dhe ashtu si shumica e fëmijëve zgjedh të merret me futboll. Angazhohet shumë shpejt me ekipet e moshave të Vllaznisë teksa në vite është stërvitur nga emra shumë të njohur duke filluar nga Ernest Halepjani, Zyhdi Bakalli, Xhelal Juka, Gjon Simoni, Rexhep Laçej, Rifat Rusi dhe për të përfunduar tek Muhamet Dibra me të rinjtë.
Vijon të jetë pjesë e ekipit shkodran edhe për dy sezone më vonë. Në vitin 1967, pikërisht një ditë pas ndeshjes së famshme Shqipëri- Gjermani 0-0, më 18 dhjetor, ai shkon ushtar. “Fillimisht më çuan në Durrës për 10 ditë dhe pastaj më tërhoqi Partizani në Tiranë. Me këtë ekip kam fituar Kupën e Republikës në vitin 1968 duke mundur pikërisht Vllazninë në finale me rezultatin 4-1.
Në atë edicion të kësaj Kupe, kam qenë shënuesi më i mirë i saj me 7 gola. Të luash në një ekip me emra të tillë si Panajot Pano, Lin Shllaku, Mikel Janku, Mihal Gjika, Astrit Ziu, Neptun Bajko etj, sigurisht që për mua ishte diçka fantastike. Për më tepër që arrita të luaj në skuadër me Panon e madh, të cilin në moshë të re mundohesha ta imitoja, sepse me moshat e vogla luaja me fanellën me numrin 10 që ai mbante në shpinë”- shton më tej Hoxha.
Megjithatë tek Partizani nuk do të qëndronte shumë. Menjëherë pas ndeshjes ndaj Torinos, në shtator të vitit 1968, sëbashku me Astrit Ziun kemi shkuar në Gjirokastër. Luftëtari ishte “nën patronazhin” e Partizanit dhe për këtë arsye, drejtuesit e klubit i çuan të luajnë atje. Kështu do të vazhdohej deri në fund të vitit 1969 kur kthehet në Shkodër.
Në janar të vitit 1970 rikthehet të luajë sërish me Vllazninë dhe këtë e bën deri në vitin 1977 kur lë sportin, pikërisht në moshën 29 vjeçare. Moshë e re ndoshta por kështu e ndau mendjen dhe vendosi t’i japë lamtumirën fushave të blerta.
Gjatë aktivizimit me Vllazninë, Ismet Hoxha do të fitonte të tjera trofe. Do të shpallej kampion në vitin 1972 dhe po në të njëjtin vit do të fitonte edhe Kupën e Republikës ndërsa dy vite më vonë do të shpallej sërish kampion me kuqeblutë.
Sakaq, në Spartakiadën e 4-të Kombëtare në vitin 1974, Ismet Hoxha, sëbashku me Shyqyri Ballgjinin, do të cilësoheshin dy futbollistët më të mirë të Spartakiadës dhe ata morën edhe dhuratat përkatëse. Po ashtu, sulmuesi shkodran për disa vite rresht është renditur ndër shënuesit më të mirë të kampionatit.
Kombëtarja
Duke spikatur me lojërat dhe golat e shënuar në kampionat për Vllaznisë, Hoxha do të ftohej edhe në Kombëtare gjatë atyre viteve. Ka luajtur vetëm tre ndeshje, ato ndaj Finlandës, RDGJ-së dhe Kinës, megjithatë emocionet kanë qenë të mëdha për të. #
Ka luajtur vetëm 3 ndeshje me kombëtaren e madhe, por ka qenë për disa vite pjestar i ekipit Shpresa, madje edhe kapiten i saj. Madje, është shpallur dy herë nënkampion i Ballkanit me këtë ekip, në vitin 1970 në Sofje të Bullgarisë dhe në vitin 1974 në Bukuresht të Rumanisë.
Karriera si trajner
Menjëherë pas lënies së sportit, pikërisht në vitin 1978, ka nisur punën si trajner moshash në klubin Vllaznia. E ka vazhduar deri në vitin 2000 kur duke drejtuar ekipin e të rinjve të Vllaznisë, ku u shpall kampion i Shqipërisë.
Mundën Flamurtarin me 11-metërsha në ndeshjen e luajtur në Lushnjë. Trajneri Hoxha e ka ende në kujtesë atë moment dhe atë festë të ekipit të tij. Edhe ngaqë, shumica prej tyre më pas do të bëheshin futbollistë të njohur. Edhe sot pas 17 vitesh ai e kujton të gjithë formacionin e asaj finaleje.
Por nga duart e mia kanë kaluar futbollistë si Hysen Zmijani, Çlirim Basha, Zamir Shpuza, Suad Lici, Edi Martini, Armando Cungu, Vioresin Sinani, Luan Zmijani, Elvin Beqiri, Arjon Mustafa etj, të cilët kanë luajtur edhe me ekipin kombëtar.
Karriera si drejtues
Përveçse si trajner me moshat, Ismet Hoxha ka kryer edhe të tjera funksione në klubin Vllaznia. Kështu, në vitet e arta të titujve kampionë, 1998-2001, ai ka mbajtur rolin e sekretarit të klubit. Pas një shkëputje dyvjeçare është rikthyer sërish në këtë pozicion duke qëndruar deri në vitin 2006. Sakaq, në vitet 2012-2014 ka kryer edhe detyrën e përgjegjësit të Akademisë Vllaznia duke plotësuar në njëfarë mënyre ciklin e plotë të posteve drejtuese në këtë klub.
Për të gjitha këto kontribute, Ismet Hoxha në prill të vitit 2022 është nderuar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”./www.shkodrasport.com/v


