Shkruar nga Endri ÇINARI
Pas një starti të vështirë në kampionat, Vllaznia po shfrytëzon këtë javë për të rikuperuar dhe për të rikthyer qetësinë në skuadër. Kuqeblutë po punojnë për të kapur formën maksimale fizike, por njëkohësisht edhe për të lënë pas ngarkesën psikologjike të krijuar nga rezultatet e para të sezonit.
Në seancat stërvitore të kësaj jave, skuadra është shfaqur më e qetë, me një atmosferë dukshëm më pozitive. Pavarësisht vetëm dy pikëve të grumbulluara në pesë javët e para, në kampin shkodran duket se po tentohet të kthehet fokusi te puna dhe te reagimi në fushën e lojës.
Objektivi kryesor është stabilizimi i situatës dhe përgatitja sa më e mirë për ndeshjet e ardhshme. Stafi teknik po kërkon të shfrytëzojë këtë periudhë për të korigjuar problemet e shfaqura në javët e para, veçanërisht në aspektin e qëndrueshmërisë së skuadrës dhe ruajtjes së rezultateve.
Një tjetër element që mbetet në vëmendje është situata në pankinë. Ende nuk është zyrtarizuar trajneri i ri i Vllaznisë, çka e mban të hapur çështjen e drejtimit teknik në këtë periudhë. Megjithatë, skuadra po vijon normalisht përgatitjet, duke synuar të mos lejojë që pasiguria jashtë fushe të ndikojë në punën e futbollistëve.
Në Shkodër tashmë kërkohet një kthesë në rezultatet e kampionatit. Për këtë arsye, kjo javë shihet si një mundësi për të rikuperuar energjitë, për të ulur presionin dhe për të ndërtuar një atmosferë më të mirë përpara sfidave që vijnë.
Vllaznia ende nuk e ka gjetur ritmin e dëshiruar në këtë sezon, por gjendja e krijuar në stërvitje gjatë kësaj jave jep sinjale se kuqeblutë po përpiqen të lënë pas momentin negativ. Tashmë mbetet që kjo qetësi dhe ky humor pozitiv të përkthehen edhe në fushën e lojës, aty ku skuadra duhet të reagojë për të ndryshuar situatën.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


