Shkruar nga Gjergj KOLA
Mbushen sot gjashtë vite nga dita kur u nda nga ne Mjeshtri i Madh i atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare, Vildan Tufi. Trajneri i mirënjohur i Vllaznisë nuk arriti ta fitonte betejën me sëmundjen që e kishte pushtuar. Edhe pse dukej optimist, ai na dha lamtumirën paraditen e 18 tetorit të vitit 2020.
Vildan Tufi lindi në Shkodër më 14 prill 1945 dhe jetën e tij ia përkushtoi atletikës. Nga duart e tij dolën shumë kampionë dhe rekordmenë, por tre prej tyre spikasin në veçanti, pasi janë nderuar edhe me tituj të lartë.
Profesor Tufi ka stërvitur Vera Bregun, sportisten që ka vendosur rekorde ende të pathyera në kërcimin së gjati, me 6.53 metra, dhe në kërcimin trehapësh, me 13.51 metra. Ajo mori pjesë në Lojërat Olimpike të vitit 1996, në Atlanta të SHBA-së. Gjithashtu, u shpall dy herë kampione e Ballkanit dhe fitoi shumë medalje në gara ndërkombëtare.
Pas saj, Tufi stërviti edhe Admir Bregun, kampion dhe rekordmen në kërcimin së gjati, i cili fitoi gjithashtu disa medalje në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, kampioni i tretë i madh i dalë nga duart e tij është Izmir Smajlaj, me të cilin arriti të shpallej edhe kampion Europe.
Sot, gjashtë vite pas ndarjes së tij nga jeta, kuptohet edhe më mirë se sa të shumta janë kujtimet për profesor Vildanin, i cili ishte edhe një akademik i shkëlqyer. Të gjithë ata që e kanë njohur, kanë garuar me të, janë stërvitur prej tij apo kanë qenë nxënës të tij, padyshim që do ta kujtojnë jo vetëm sot, por gjithmonë, sepse Vildan Tufi nuk mund të harrohet lehtë!


