FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVllaznia sot përballë Egnatias, trajneri Laszlo pritet të konfirmojë titullarët

Vllaznia sot përballë Egnatias, trajneri Laszlo pritet të konfirmojë titullarët

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia duket se ka gjetur një pikë referimi për formacionin e saj, teksa në prag të transfertës së kësaj jave ndaj Egnatias në Rrogozhinë, trajneri Csaba Laszlo pritet t’i besojë të njëjtit 11 futbollistë që siguruan fitoren 1-0 ndaj Dinamos. Kuqeblutë synojnë të ruajnë vazhdimësinë e rezultateve pozitive, ndërsa tekniku hungarez duket i prirur të mos bëjë ndryshime në formacionin titullar.

Në portë pritet të rikonfirmohet Jukaj, i cili ka shfaqur një formë të mirë gjatë periudhës së fundit. Pas paraqitjes pozitive ndaj Dinamos, gardiani shkodran shihet si favoriti kryesor për ta nisur nga minuta e parë edhe në Rrogozhinë, në një përballje ku skuadra do të ketë nevojë për siguri në prapavijë.

Sa i përket repartit të mbrojtjes, Laszlo pritet t’i besojë sërish dyshes Gurishta-Musta në qendër, ndërsa në krahë Bardhi dhe Avduli janë alternativat më të favorizuara për të qenë titullarë. Një repart që në ndeshjen e fundit arriti të mbante portën të paprekur dhe që tashmë do të ketë përballë një kundërshtar të vështirë si Egnatia.

Në mesfushë, dyshja Mehmeti-Dros pritet të formojë digën para mbrojtjes, me Qaton të pozicionuar më i avancuar në këtë repart. Një skemë që synon të ruajë ekuilibrat mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese, duke i dhënë Vllaznisë mundësinë të rivalizojë një skuadër që në fushën e saj është gjithmonë e vështirë për t’u përballuar.

Ndërkohë, në krahët e sulmit, Uldedaj dhe Murataj shihen si futbollistët më të avantazhuar për ta nisur ndeshjen nga minuta e parë. Të dy pritet të kenë një rol të rëndësishëm në krijimin e rasteve dhe në mbështetjen e sulmuesit kryesor, Bekim Balaj, i cili do të jetë sërish pika e referimit në majën e ofensivës kuqeblu.

Për Vllazninë, sfida ndaj Egnatias përfaqëson një tjetër provë të rëndësishme në kampionat. Pas suksesit ndaj Dinamos, shkodranët kërkojnë të konfirmojnë se fitorja e fundit nuk ishte një episod i izoluar, por pikënisja e një serie pozitive rezultatesh. Për këtë arsye, Laszlo duket se do të zgjedhë vazhdimësinë, duke i besuar grupit që i dha tri pikët e para të sezonit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments