Tek Vllaznia janë duke u bërë gati për sfidën e rradhës, atë ndaj Bylisit që do të luajnë ditën e nesërme në orën 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Kuqeblutë duken shumë të vendosur për të fituar dhe për të tentuar të marrin sërish kreun e renditjes, por kuptohet që duhet bërë shumë kujdes.
Por kjo pragndeshje është shoqëruar edhe me një moment shumë të lumtur për kapitenin e saj Bekim Balaj. Ai ka shënuar shumë gola gjatë karrierës së tij, por më të rëndësishmin duket e ka festuar mbrëmjen e së mërkurës.
Kjo sepse është bërë për herë të parë baba. Balaj është bërë me djalë dhe këtë moment lumturie e ka ndarë ditën e djeshme me të gjithë pjestarët e ekipit prej të cilëve ka marrë urime të shumta.
Duket se ky fund- sezoni po vjen me lajme të mira për kapitenin kuqeblu dhe ai shpreson shumë që ta pasojë me ngritjen e kupës si kampion me ekipin e Vllaznisë.


