Monday, June 1, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORETitulli i rradhës në duar, Abdurrahman Fangaj fituesi serial i futbollit shqiptar

Titulli i rradhës në duar, Abdurrahman Fangaj fituesi serial i futbollit shqiptar

Shkruar nga Endri ÇINARI

Abdurrahman Fangaj vazhdon të shkruajë historinë e tij të suksesit në futbollin shqiptar. Mbrojtësi shkodran i Egnatias është shndërruar në një nga lojtarët më të suksesshëm të viteve të fundit, teksa edhe në sezonin 2025-26 arriti të ngrejë lart trofeun e kampionit të Shqipërisë. Për 28-vjeçarin, ky ishte titulli i tretë radhazi në elitën e futbollit shqiptar me fanellën e Egnatias, duke konfirmuar statusin e tij si një nga protagonistët kryesorë të skuadrës rrogozhinase.

Që prej transferimit te Egnatia katër sezone më parë, Fangaj ka qenë një pikë referimi në repartin defensiv. Me paraqitjet e tij të qëndrueshme, eksperiencën dhe profesionalizmin në fushë, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në sukseset historike të klubit. Jo rastësisht, mbrojtësi shkodran konsiderohet sot si një nga futbollistët më të mirë në rolin e tij në Superiore.

Bilanci i trofeve të fituara me Egnatian flet vetë. Në katër sezone me klubin rrogozhinas, Fangaj ka triumfuar tri herë në kampionat, ka fituar dy herë Kupën e Shqipërisë dhe një herë Superkupën. Një seri suksesesh që e ka bërë atë pjesë të pandashme të periudhës më të artë në historinë e klubit.

Megjithatë, koleksioni i trofeve të mbrojtësit shkodran nuk nis me Egnatian. Në vitrinën e tij gjendet edhe Kupa e Shqipërisë e fituar me Vllazninë në sezonin 2021-22, sukses që shënoi edhe nisjen e një periudhe të jashtëzakonshme në karrierën e tij. Që nga ai moment, Fangaj nuk ka njohur sezon pa trofe, duke ruajtur një vazhdimësi për t’u admiruar.

Pesë sezone radhazi me trofe në duar janë një tregues i qartë i mentalitetit fitues që ka ndërtuar futbollisti shkodran. Në një futboll ku suksesi shpesh është i vështirë të përsëritet, Abdurrahman Fangaj ka arritur të bëhet sinonim i fitoreve, duke u shndërruar me meritë në një nga fituesit serialë të futbollit shqiptar.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments