Kombëtarja shqiptare U-15 për vajza është grumbulluar sot për turneun zhvillimor të UEFA-s, “UEFA Women’s Under-15 Development Tournament”, që do të zhvillohet në Tiranë nga data 20 deri më 25 tetor.
Turneu do të organizohet nga FSHF dhe do të zhvillohet në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Letonisë, Rumanisë dhe Irlandës së Veriut.
Kombëtarja U-15 e vajzave do të luajë tri ndeshje në këtë aktivitet ndërkombëtar, duke nisur me përballjen ndaj Letonisë më 20 tetor, në orën 14:30. Më 22 tetor, Shqipëria do të përballet me Rumaninë, në të njëjtën orë, ndërsa ndeshjen e fundit do ta luajë më 25 tetor, ndaj Irlandës së Veriut, në orën 14:00.
Pjesë e kombëtares shqiptare në këto ndeshje do të jetë edhe një shkodrane. Bëhet fjalë për Grea Tula. Ajo luan në rolin e portieres dhe konsiderohet me shumë të ardhme. Ka lindur në Kanada dhe jeton atje, ndërkohë që lidhje me portën e ka trashëgimi familjare sepse edhe i ati ka qenë portier.
Bëhet fjalë për Ridvan Tulën, i cili në rininë e tij ka luajtur në këtë pozicion dhe më pas punoi për shumë vite në Shkodër si trajner moshash, para se të transferohej në Kanada, atje ku po punon prej vitesh me Grean të cilën shpreson shumë që ta shohë duke luajtur në nivele të larta.
Dhe prova e parë për të padyshim që do të jenë këto tre ndeshjet e rradhës me kombëtaren U-15. ku ajo do të kërkojë të tregojë vlerat e saj më të mira.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


