FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREDaniel Perez zhbllokohet me Vllazninë, venezueliani jep sinjale pozitive në sulm

Daniel Perez zhbllokohet me Vllazninë, venezueliani jep sinjale pozitive në sulm

Shkruar nga Endri ÇINARI

Daniel Perez ka gjetur golin e tij të parë zyrtar me fanellën e Vllaznisë. Sulmuesi venezuelian arriti të lërë gjurmën e parë te kuqeblutë në transfertën ndaj Egnatias, ku shkodranët u mposhtën me rezultatin 3-1 në javën e shtatë të kampionatit. Pavarësisht humbjes, goli i 24-vjeçarit ishte një nga sinjalet pozitive të skuadrës së drejtuar nga trajneri Sabas Laszlo.

Në një moment kur Vllaznia po kërkonte të reagonte në Rrogozhinë, Perez ndoqi me vëmendje një aksion të ndërtuar mirë nga Murataj dhe Bekim Balaj. Venezueliani u pozicionua siç duhet në zonë dhe, me portën e boshatisur përpara, e dërgoi topin në rrjetë, duke shënuar kështu golin e tij të parë në një ndeshje zyrtare me fanellën kuqeblu.

Me këtë realizim, Perez u bë lojtari i katërt i Vllaznisë që gjen rrugën e rrjetës në këtë sezon, pas Bekim Balajt, Muratajt dhe Mustës. Një statistikë që tregon se kontributi ofensiv i skuadrës shkodrane vijon të jetë i kufizuar, ndërsa pritet që me kalimin e javëve të shtohen alternativat dhe emrat që kontribuojnë në repartin e avancuar.

I aktivizuar në pjesën e dytë të sfidës ndaj Egnatias, 24-vjeçari arriti të japë disa shkëndija pozitive, duke treguar se mund të jetë një alternativë e vlefshme për sulmin e kuqebluve. Përtej golit, rëndësi për të do të ketë vazhdimësia në paraqitje dhe përshtatja sa më e mirë me lojën e skuadrës.

Deri më tani, Perez është vetëm sulmuesi i dytë që ka shënuar për Vllazninë në kampionat, pas kapitenit Bekim Balaj. Një fakt që e bën edhe më të rëndësishëm aktivizimin dhe kontributin e venezuelianit, në një skuadër që ka nevojë për më shumë alternativa në fazën përfundimtare të aksioneve.

Me kalimin e javëve, shtatlarti mund të fitojë më shumë hapësira dhe të synojë edhe një vend në formacionin titullar. Gjithçka do të varet nga forma fizike, paraqitjet në stërvitje dhe vazhdimësia që do të tregojë në fushën e lojës. Goli ndaj Egnatias është një hap i parë për Perez, i cili tashmë kërkon të kthehet në një element më të rëndësishëm për repartin ofensiv të Vllaznisë.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments