Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Elvis Plori do të nisë një aventurë të re në karrierën e tij si trajner, këtë herë në futbollin e Arabisë Saudite. Trajneri shkodran pritet të bashkohet me Thomas Brdariçin, me të cilin ka bashkëpunuar më parë te Vllaznia, në një eksperiencë që do t’i rikthejë të dy në të njëjtin staf teknik.
Destinacioni është Al-Bukayriyah, skuadër që militon në Ligën e Parë të Arabisë Saudite dhe që ka zyrtarizuar më para pak ditësh emërimin e Thomas Brdariçit në krye të ekipit të parë. Tekniku kroato-gjerman është një emër i njohur për tifozët shkodranë, pasi drejtoi Vllazninë në dy periudha dhe fitoi Kupën e Shqipërisë në sezonin 2020-2021.
Plori dhe Brdariç kanë punuar së bashku te kuqeblutë, ku trajneri shkodran mbajti rolin e zëvendëstrajnerit. Bashkëpunimi i tyre ishte pjesë e një periudhe të rëndësishme për Vllazninë, që u shoqërua me rezultate pozitive në kampionat dhe me fitimin e trofeut të Kupës.
Për Elvis Plorin, një lëvizje e tillë do të jetë një kapitull i ri në karrierën e tij, pas eksperiencave në futbollin shqiptar, përfshirë edhe drejtimin e Besëlidhjes së fundmi në Kategorinë e Parë. Tashmë, Plori do të ketë mundësinë të punojë sërish përkrah Brdariçit, këtë herë në një kampionat të ri dhe në një ambient të ndryshëm nga ai i futbollit shqiptar.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


