Tuesday, April 14, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E PARESamuel Nikaj: Na mohuan pikën, goli i Skënderbeut ishte i parregullt

Samuel Nikaj: Na mohuan pikën, goli i Skënderbeut ishte i parregullt

Humbja e pësuar në “Liri Ballabani” ndaj Skënderbeut kryesues i ka rënduar edhe më shumë pozitat e matjanëve në renditje. Pas javës së 30-të, skuadra e drejtuar nga shkodrani Samuel Nikaj renditet në vendin e tetë me 33 pikë dhe një golaverazh negativ 22-39.

Disfata ndaj bardhekuqve ishte e gjashta në kampionat për vitin 2026, duke konfirmuar momentin e vështirë që po kalon ekipi. Megjithatë, sfida e së shtunës u ndoq me interes të madh nga tifozët matjanë, të cilët, ndryshe nga herët e tjera, ishin më të shumtë në stadium për përballjen ndaj korçarëve. Në analizën e ndeshjes, trajneri Samuel Nikaj theksoi se skuadra e tij meritonte më shumë nga kjo përballje. “Duke analizuar në tërësi lojën dhe rastet e krijuara, barazimi do të ishte rezultati më i drejtë.

Futbollistët zhvilluan një ndeshje pozitive dhe ishim në lartësinë e duhur, madje taktikisht edhe më lart se kundërshtari”, u shpreh tekniku matjan. Nikaj nuk kurseu as kritikat për episodin që vendosi ndeshjen, duke vënë në dyshim rregullsinë e golit të Skënderbeut. “Goli i shënuar nga kundërshtari ishte i parregullt, por janë instancat e FSHF-së që e vlerësojnë më drejt këtë episod, i cili përcaktoi edhe fatin e takimit”, shtoi ai.

Ndërkohë, skuadra ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës në transfertë ndaj Luftëtarit, një sfidë me peshë për objektivat e sezonit. “Të gjitha ndeshjet janë të vështira dhe vlerësimi do të jetë maksimal. Objektivi ynë mbetet pozicionimi në mesin e tabelës”, përfundoi trajneri Nikaj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments