Tirana përgatitet për përballjen me Vllazninë në “Klasiken” e futbollit shqiptar, pas dy fitoreve radhazi që kanë rikthyer atmosferën pozitive në skuadër. Trajneri Dean Klafuriç vlerëson punën e lojtarëve gjatë javëve të fundit dhe thekson se objektivi i bardhebluve është të fitojnë çdo ndeshje.
Tekniku kroat foli për gjendjen e ekipit, synimet në kampionat, ndryshimet që mund të bëjë ndaj kuqebluve dhe vlerësimin për kundërshtarin, që vjen pas ndryshimit të trajnerit.
Trajner, Tirana duket në një moment të mirë pas dy fitoreve radhazi. Si e prisni ndeshjen me Vllazninë dhe si është gjendja e skuadrës?
Jam i lumtur për lojtarët e mi. Ata kanë punuar shumë gjatë gjithë javës, por jo vetëm këtë javë, edhe në periudhën e fundit. Jam i kënaqur për këtë dhe për ta. Kjo është mënyra se si duhet të punojnë. Edhe atmosfera është shumë e mirë. Si në çdo ndeshje, ne duam të fitojmë. Përpiqemi të fitojmë çdo takim dhe kjo është qasja jonë edhe ndaj Vllaznisë.
Deri ku mund të arrijë Tirana këtë sezon, duke parë edhe rivalët e tjerë? Cili është objektivi juaj?
Do ta shohim. Siç e përmenda, duam të fitojmë çdo ndeshje. Kjo është qasja jonë dhe do të shohim se ku do të arrijmë. Mendoj se gjithçka është e qartë këtu në Shqipëri.
A është Xhixha i gatshëm për të luajtur?
Po.
Nga ndeshja me Laçin te ajo me Vllazninë, çfarë do të ndryshoni në skuadër?
Do ta shohim. Nuk mund t’ju them. Është një çështje e qasjes taktike dhe nuk mund të flas për taktikat.
Çfarë mendimi keni për Vllazninë? Si e vlerësoni kundërshtarin, duke pasur parasysh se ka ndryshuar trajner?
Po, kanë ndryshuar trajnerin, kështu që është një situatë ndryshe. Ata janë ende në procesin e krijimit të një stili të ri loje. Nuk është e lehtë. Mund të themi se nuk janë në një moment të mirë dhe se po kalojnë një krizë rezultatesh, por kanë fituar edhe ndaj Dinamos. Çdo kundërshtar është i rrezikshëm dhe serioz në kampionatin shqiptar.
Fituat derbin e kryeqytetit dy javë më parë. Tani është derbi i Shqipërisë. Dëshironi ta fitoni edhe këtë përballje, në aspektin personal?
Po, sigurisht që dëshiroj ta fitoj. Do të ishte shumë bukur të fitoja edhe këtë derbi.


