FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREDy ndryshime në formacion, ja si pritet sot Vllaznia në ‘klasike’

Dy ndryshime në formacion, ja si pritet sot Vllaznia në ‘klasike’

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia pritet të zbresë me disa ndryshime në formacion në përballjen e radhës ndaj Tiranës, në një duel që mbart gjithmonë interes të veçantë për dy skuadrat historike të futbollit shqiptar. Trajneri Csaba Laszlo duket se ka menduar disa lëvizje në 11-shen titullare, duke synuar të gjejë ekuilibrat e duhur dhe t’i japë skuadrës më shumë alternativa në lojë.

Në portë, Jukaj pritet të rikonfirmohet si titullar, duke ruajtur vendin mes shtyllave. Edhe reparti i mbrojtjes nuk parashikohet të pësojë ndryshime, me Bardhin në krahun e djathtë, Gurishtën dhe Mustën në qendër, ndërsa Avduli do të pozicionohet në të majtë. Kështu, Laszlo duket se do t’i besojë sërish të njëjtit formacion në prapavijë.

Ndërkohë, në mesfushë, Mehmeti dhe Dros pritet ta nisin nga minuta e parë, duke formuar dyshen përpara mbrojtjes. Surpriza e madhe mund të jetë Emanuel Obina. 19-vjeçari nigerian është pranë debutimit si titullar me kuqeblutë, një mundësi e rëndësishme për të treguar vlerat e tij në një ndeshje me peshë si ajo ndaj Tiranës.

Nëse ky plan konfirmohet, Obina do të marrë vendin e Qatos, i cili pritet ta nisë takimin nga stoli. Një zgjedhje që tregon se tekniku hungarez është i gatshëm të eksperimentojë me alternativa të reja, duke kërkuar më shumë energji dhe freski në repartin e mesfushës. Për talentin 19-vjeçar, kjo mund të jetë një mundësi e mirë për të fituar më shumë besim dhe hapësira në skuadrën e parë.

Një tjetër ndryshim pritet të ndodhë në krahun e djathtë të sulmit, ku Bizi duket më i avantazhuar në balotazhin me Uldedajn. Ndërkohë, në të majtë pritet të rikonfirmohet Murataj, i cili ka qenë një nga alternativat e rëndësishme të skuadrës në këtë fazë të kampionatit. Në majën e sulmit, kapiteni Bekim Balaj do të vazhdojë të jetë pika e referimit për kuqeblutë.

Në këtë mënyrë, Vllaznia mund të zbresë në “klasiken” ndaj Tiranës me një formacion që ruan thuajse të njëjtën linjë mbrojtëse, por me risi në mesfushë dhe në krahun e djathtë të sulmit. Mbetet për t’u parë nëse zgjedhjet e Laszlos do të konfirmohen deri në momentin e ndeshjes, teksa shkodranët synojnë të paraqiten sa më mirë përballë bardhebluve dhe të marrin një rezultat pozitiv.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments