Myrto Uzuni shkëlqen në kampionatin amerikan, duke i dhënë fitoren skuadrës së Ostin. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi dopietë në transfertën ndaj Kensas Siti, në një ndeshje të fituar me përmbysje, me rezultatin dy me një.
Uzuni gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 64-t, ndërsa vulosi fitoren në minutën e 86-të. Pas 23 paraqitjeve në kampionat, sulmuesi kuqezi shkon në kuotën e nëntë golave dhe dy asisteve.
Ndërkohë, Nedim Bajrami ka shënuar golin e tij të parë me fanellën e Al Taonit, në elitën e futbollit saudit. Mesfushorit shqiptar i mjaftuan vetëm gjashtë minuta në fushë për të tundur rrjetën, në duelin ndaj Al Rijadit. Bajrami u aktivizua në minutën e 72-të dhe realizoi me një goditje të kalibruar nga jashtë zonës.
Lajmi shqetësues vjen nga Anglia, ku Armando Broja është dëmtuar në ndeshjen e Bërnlit ndaj Linkolnit. Sulmuesi shqiptar u shtri në fushë mes dhimbjeve të forta dhe u detyrua të largohej pas vetëm 11 minutash lojë. Mbetet për t’u parë shkalla e dëmtimit dhe koha e rikuperimit për futbollistin e Kombëtares.


