Vllaznia ka vijuar edhe sot me përgatitjet për ndeshjen e së shtunës ndaj Elbasanit dhe e veçanta e kësaj seance ka qenë prania në të edhe e një futbollisti 16 vjeçar. Bëhet fjalë për sulmuesin Sebastian Gjeka. Ai është pjesë e Akademisë Vllaznia dhe luan aktualisht me ekipin U17, por drejtuesit e saj e shohin si një element me shumë të ardhme.
Fakti që drejtor sportiv i klubit tashmë është Alban Neziri, i cili më parë dhe prej shumë vitesh ka drejtuar Akademinë Vllaznia, do të thotë se tashmë rruga për elementet e spikatur të saj tek ekipi i parë është më e lehtë.
Dhe rasti i Gjekës është shembulli më i mirë për këtë gjë. Është i datëlindjes 2010 dhe sezonin e kaluar kontributoi për shpalljen kampion të Shqipërisë të ekipit U16 të Vllaznisë, ndërsa tashmë po luan me ekipin U17 ku po bën sërish paraqitje të mira.
Sebastiani luan si sulmues qendre, është i gjatë, luan mirë me të dyja këmbët dhe premisat janë që të jetë një element i cili do të ketë një të ardhme të sigurtë. Gjithmonë nëse vazhdon të punojë fort në stërvitje. Tashmë edhe me ekipin e parë do të ketë mundësinë që të rritet edhe më shumë nga ana profesionale.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


