Shkruar nga Endri ÇINARI
Krahët e mbrojtjes po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi te Vllaznia, teksa Patrik Bardhi në të djathtë dhe Xhezair Avduli në të majtë po shfaqen prej disa javësh në nivelin e duhur. Dy futbollistë që në fillim të sezonit shiheshin më shumë si alternativa, tashmë kanë fituar hapësirë dhe besim, duke u kthyer në pjesë të rëndësishme të formacionit kuqeblu.
Në veçanti, vëmendjen e ka tërhequr Patrik Bardhi. I ardhur për të luajtur më shumë si sulmues krahu, 28-vjeçari është përshtatur në një rol tjetër, atë të mbrojtësit të djathtë, duke treguar se mund të jetë një zgjidhje e vlefshme edhe në këtë pozicion.
Bardhi ka sjellë jo vetëm energji dhe intensitet në krahun e djathtë, por edhe një kontribut të rëndësishëm në fazën ofensive. Përshtatja me detyrat e reja ka qenë pozitive dhe tashmë ai duket se ka fituar një vend të rëndësishëm në planet e trajnerit Laszlo.
Në krahun tjetër është Xhezair Avduli, i cili gjithashtu ka ditur të shfrytëzojë mundësinë e dhënë. Mbrojtësi i majtë ka treguar cilësitë e tij në javët e fundit, duke dhënë siguri në prapavijë dhe duke qenë një alternativë e besueshme në të dyja fazat e lojës.
Kështu, Vllaznia duket se ka gjetur një dyshe që po i jep stabilitet krahëve të mbrojtjes. Bardhi dhe Avduli, nga alternativa të fillimit, janë shndërruar gradualisht në pika të rëndësishme të formacionit, duke rritur konkurrencën dhe opsionet për trajnerin hungarez.
Një garanci që vjen nga krahët dhe që kuqeblutë shpresojnë t’a ruajnë edhe pas rikthimit të kampionatit. Vllaznia do të kërkojë të ngjitet sa më lart në renditje dhe për këtë mision, kontributi i Bardhit dhe Avdulit mund të jetë një tjetër armë e rëndësishme për skuadrën shkodrane.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


