Shkruar nga Endri ÇINARI
Që prej ardhjes së trajnerit Csaba Lazslo në krye të Vllaznisë, “Loro Boriçi” është kthyer në një pikë force për kuqeblutë. Shkodranët nuk kanë pësuar asnjë gol në shtëpi në tri ndeshjet e zhvilluara me teknikun hungarez në stol, duke regjistruar njëkohësisht vetëm fitore.
Bilanci është perfekt: 9 pikë të marra në 3 ndeshje, me një diferencë golash 4-0. Vllaznia e nisi këtë seri me suksesin 1-0 ndaj Dinamos, për të vijuar më pas me fitoren 2-0 ndaj Tiranës dhe së fundmi me triumfin minimal 1-0 kundër Elbasanit.
Tre ndeshje, tri fitore dhe mbi të gjitha një portë e paprekur. Mbrojtja kuqeblu ka treguar një tjetër fytyrë në shtëpi, duke i dhënë skuadrës sigurinë e nevojshme për të marrë pikët e plota edhe në takime ku rezultati është vendosur me diferenca të ngushta.
Kjo ecuri tregon forcën që Vllaznia ka në “Loro Boriçi”, por tabloja ndryshon kur skuadra largohet nga Shkodra. Lazslo ende nuk e ka shijuar fitoren e parë në transfertë, duke bërë që diferenca mes paraqitjeve në shtëpi dhe jashtë saj të jetë e dukshme.
Në fakt, pavarësisht përmirësimit të ndjeshëm në shtëpi, Vllaznia vazhdon të ketë një problem në bilancin e përgjithshëm defensiv. Kuqeblutë kanë pësuar 16 gola deri tani në kampionat, një shifër që i vendos në të njëjtën kuotë me Vorën.
Vetëm Partizani ka pësuar më shumë se Vllaznia, me 21 gola të pësuar. Kështu, për Lazslo sfida mbetet e qartë: të ruajë fortësinë e treguar në “Loro Boriçi”, por njëkohësisht të gjejë mënyrën që kjo siguri të shoqërojë kuqeblutë edhe në transfertë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


