Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia duket se po rikthen seriozisht vëmendjen te elementi i ri, duke e parë atë si një prej drejtimeve të rëndësishme për të ardhmen e skuadrës dhe vetë klubit. Në Shkodër ka nisur një proces më i kujdesshëm vëzhgimi i talenteve që mund të bëjnë hapin drejt ekipit të parë, me synimin për të afruar gradualisht futbollistë të dalë nga akademia.
Në këtë drejtim, një rol të rëndësishëm po luajnë trajneri Csaba Laszlo dhe drejtori sportiv Alban Hasani, të cilët po ndjekin nga afër elementët e rinj që spikasin në strukturat e klubit. Ideja është që Vllaznia të mos mbështetet vetëm te afrimet nga jashtë, por të shfrytëzojë edhe potencialin që ka në dispozicion brenda familjes kuqeblu.
Shembujt pozitivë të kohëve të fundit duket se kanë përforcuar edhe më shumë këtë bindje. Obina, Uldedaj dhe Bizi janë disa prej emrave që kanë bërë tashmë hapin drejt ekipit të parë, duke marrë minuta dhe duke treguar se mund të jenë alternativa të vlefshme për të ardhmen. Rasti i tyre mund të shërbejë si një shtysë për t’u dhënë mundësi edhe futbollistëve të tjerë të rinj.
Pikërisht për këtë arsye, vëmendja e drejtuesve dhe stafit teknik nuk është përqendruar vetëm te skuadra e parë. Në monitorim është edhe Vllaznia B, ku aktivizohen futbollistë që janë më pranë nivelit të konkurrimit në ekipin A dhe që mund të përfitojnë nga një mundësi e tillë në momentin e duhur.
Por vëzhgimi shtrihet edhe te ekipet zinxhir, veçanërisht te grupmoshat U-17 dhe U-19. Në këto dy skuadra ka disa elementë interesantë, të cilët po ndiqen me kujdes për të vlerësuar potencialin dhe mundësinë që në një të ardhme të afërt të jenë pjesë e planeve të ekipit të parë.
Kështu, Vllaznia duket se po synon të ndërtojë një urë më të fortë mes akademisë dhe skuadrës së parë. Natyrisht, jo të gjithë do t’a bëjnë menjëherë këtë hap, por mesazhi është i qartë: talentet që spikasin do të kenë mundësinë të provojnë veten. Një strategji që, përveçse mund të ndihmojë në zbulimin e emrave të rinj, do t’i japë klubit mundësinë të ndërtojë një pjesë të së ardhmes me elementë të formuar në shtëpi.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


