Mediat italiane i kanë thurur elozhe talentit të ri shqiptar me origjinë nga Shkodra Alen Vukaj, që ka lindur në Itali dhe luan me të rinjtë e Interit. Alen Vukaj realizoj golin e tij të parë me Shqipërinë U19, në fitoren 4-0 ndaj Armenisë.
Sulmuesi i talentuar i Interit dhuroi një aksion të jashtëzakonshëm: përshpejtim në krahun e majtë, 40 metra vrapim me topin në këmbë, driblime ndaj kundërshtarëve dhe goditje të saktë në shtyllën e largët. Në Shqipëri, goli është krahasuar me aksionin e famshëm të Gareth Bale kundër Barcelonës në vitin 2014.
I lindur në Lecco nga prindër shqiptarë, Vukaj iu bashkua Interit në vitin 2018, pasi klubi zikaltër mposhti konkurrencën e Milanit. Ai është një sulmues krahu me këmbë të djathtë, që nis zakonisht nga e majta dhe kërkon të depërtojë drejt qendrës.
Pas tri titujve kampionë në ekipet e moshave të Interit, këtë sezon është promovuar te Primavera, ku ka shënuar 4 gola në 13 paraqitje mes kampionatit dhe Youth League.


