Thursday, August 13, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREMësime nga sezoni i kaluar, përgatitja fizike në fokus tek Vllaznia

Mësime nga sezoni i kaluar, përgatitja fizike në fokus tek Vllaznia

Shkruar nga Endri ÇINARI

Në prag të nisjes së kampionatit, një prej prioriteteve kryesore tek Vllaznia është që skuadra të mbërrijë në start me një përgatitje fizike sa më optimale. Kuqeblutë kanë hyrë në fazën e fundit të përgatitjeve, ku çdo seancë stërvitore po shërben për të rritur ritmin dhe intensitetin, por edhe për të vlerësuar gjendjen fizike të secilit futbollist.

Në këtë drejtim, përgatitësi atletik Dario Ieva duket se ka marrë një rol të rëndësishëm brenda stafit të drejtuar nga Edi Martini. Ieva po punon për të nxjerrë maksimumin nga çdo lojtar, duke përshtatur ngarkesat sipas nevojave individuale dhe duke synuar që skuadra të jetë në gjendje të përballojë ritmin e një sezoni të gjatë.

Megjithatë, objektivi nuk është vetëm rritja e parametrave fizikë. Po aq i rëndësishëm mbetet menaxhimi i ngarkesës, me stafin teknik që kërkon të shmangë mbingarkesat dhe dëmtimet. Një ekuilibër i tillë konsiderohet thelbësor në këto ditë, kur skuadra duhet të fitojë sa më shumë në aspektin fizik, pa rrezikuar gatishmërinë e futbollistëve.

Dëmtimet dhe problemet fizike kanë qenë një shqetësim i vazhdueshëm për Vllazninë në sezonet e shkuara, duke ndikuar në vazhdimësinë dhe forcën e skuadrës në momente të rëndësishme. Këtë herë, duket se mësimet janë nxjerrë dhe përgatitja po ndërtohet me më shumë kujdes, por edhe me një plan më të qartë për menaxhimin e futbollistëve.

Me kampionatin që po afron, synimi i kuqebluve është të zbresin në fushë me një skuadër jo vetëm të kompletuar në aspektin teknik, por edhe fizikisht të gatshme për të përballuar intensitetin e garës. Për Vllazninë, një përgatitje sa më e lartë fizike mund të jetë një prej faktorëve të rëndësishëm për të përmbushur objektivat e sezonit.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments