Shkruar nga Endri ÇINARI
Me afrimet e shumta të kësaj vere, Vllaznia duket se ka krijuar një skuadër me alternativa në thuajse çdo repart. Konkurrenca për një vend në formacionin titullar pritet të jetë e fortë, me trajnerin Edi Martini që tashmë ka në dispozicion disa zgjedhje për të njëjtin pozicion.
Në mbrojtje dhe mesfushë, gara duket veçanërisht interesante. Futbollistët që kanë qenë pjesë e përgatitjeve prej fillimit kanë krijuar një ritëm të mirë, ndërsa afrimet e fundit si Dulysse, Mehmeti dhe Tounkara do të kërkojnë të afrohen gradualisht me nivelin fizik të pjesës tjetër të grupit. Kjo i jep Martinit mundësinë të ndryshojë dhe të përshtatë formacionin në varësi të kundërshtarit dhe gjendjes së futbollistëve.
Edhe në repartin ofensiv pritet të ketë një luftë interesante për minutat. Me disa alternativa në dispozicion, askush nuk e ka të garantuar vendin, ndërsa forma në stërvitje dhe miqësoret e fundit do të jenë përcaktuese për zgjedhjet e trajnerit.
Por nëse ka një repart ku për momentin nuk duket të ketë realisht konkurrencë, ai është porta. Aron Jukaj shihet si titullar absolut dhe ka marrë një pozicion të rëndësishëm në hierarkinë e skuadrës. Në mungesë të një tjetër portieri të afruar në nivele të ngjashme, gardiani shkodran duket i destinuar të nisë sezonin nga minuta e parë.
Gjithsesi, kjo situatë mund të ndryshojë nëse drejtuesit vendosin të ndërhyjnë në merkato për afrimin e një tjetër gardiani. Deri në fundin e merkatos, dera mbetet e hapur dhe porta është një nga repartet ku mund të ketë ende zhvillime.
Në pjesën tjetër të skuadrës, megjithatë, panorama është ndryshe. Konkurrenca është e fortë dhe Martini do të ketë luksin e zgjedhjes. Tashmë mbetet për t’u parë se cilët futbollistë do ta bindin më shumë në ditët e fundit të përgatitjeve dhe mbi të gjitha, kush do të fitojë betejën për fanellën e titullarit në startin e kampionatit.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


