Për të pestën javë rradhazi po shfaqet si protagonist dhe padyshim që ka meritën e tij për marrjen e disa rezultateve pozitive nga ekipi i Vllaznisë. E kemi fjalën për portierin 21 vjeçarr Aron Jukaj. Edhe në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit ka treguar një formë shumë të mirë sportive duke u bërë edhe shpëtimtari i portës së tij në disa raste.
Dhe kur pritej që të merrte trofeun e “lojtarit të ndeshjes” në fakt nuk ndodhi kështu. Nuk ndodhi as ndaj Elbasanit, as ndaj Skënderbeut dhe as ndaj Dinamos. Nuk ndodhi që të përfshihej as në formacionin e javës nga drejtoria teknike e FSHF-së.
Diçka e pakuptimtë në fakt sepse në fund të fundit është edhe portier i kombëtares U21 dhe një vlerësim i tillë mëse i merituar do të ishte një nxitje më shumë për të vazhduar punën e tij.
Dhe kjo që po themi nuk tregon aspak një vlerësim me hatër. Mjafton të shikohen përmbledhjet e këtyre ndeshjeve që thamë më sipër dhe të gjithë do të binden për super- paraqitjet e Jukajt. Jo më kot, ai po luan si titullar dhe po lë në pankinë një portier me eksperiencë si Cristian Avram që është pjesë e kombëtares moldave.
Aron Jukajt duhet t’i japin atë që meriton asgjë më shumë!
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


