FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPërmirësimi në prapavijë, Vllaznia 'nxjerr' mësime

Përmirësimi në prapavijë, Vllaznia ‘nxjerr’ mësime

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia ka gjetur një tjetër rezultat pozitiv në kampionat, teksa suksesi 0-1 ndaj Partizanit i ka dhuruar shkodranëve fitoren e dytë radhazi në këtë edicion. Një seri të tillë, ku kuqeblutë arrijnë të marrin dy triumfe radhazi në kampionat, nuk e kishin realizuar më parë gjatë këtij sezoni, çka e bën edhe më të rëndësishëm trepikëshin e marrë në transfertë.

Përveç rezultatit dhe pikëve të grumbulluara, një tjetër element që merr vlerë të veçantë është mënyra se si erdhi kjo fitore. Vllaznia jo vetëm që shënoi dhe ruajti avantazhin deri në fund, por arriti të mbyllte portën e saj për të dytën ndeshje radhazi. Pas suksesit 1-0 ndaj Elbasanit, kuqeblutë tashmë regjistrojnë dy takime radhazi pa pësuar gol.

Ky është padyshim një sinjal pozitiv për një skuadër që mbrojtjen e ka pasur një prej problemeve më të mëdha gjatë këtij sezoni. Vllaznia ka qenë ndër ekipet më të ndëshkuara të kampionatit në këtë aspekt, ndaj dy ndeshje radhazi me portën të paprekur tregojnë një përmirësim të dukshëm në organizimin difensiv dhe në menaxhimin e momenteve të vështira të takimeve.

Në të njëjtën kohë, kuqeblutë duket se po korrigjojnë gradualisht disa prej elementeve që i kanë penalizuar në javët e mëparshme. Rezultatet e fundit japin shenja se skuadra po fiton më shumë stabilitet, si në aspektin e rezultateve, ashtu edhe në mënyrën e administrimit të ndeshjeve, duke mos lejuar që avantazhet e krijuara të shpërdorohen.

Fitorja ndaj Partizanit merr edhe më shumë peshë për faktin se u arrit në transfertë dhe përballë një kundërshtari direkt, në një moment kur Vllaznia kishte nevojë për vazhdimësi. Dy triumfe radhazi dhe po aq ndeshje pa pësuar gol krijojnë një bazë më të mirë për vazhdimin e kampionatit, duke rikthyer edhe një dozë besimi në kampin shkodran.

Megjithatë, kjo seri është vetëm një hap në rrugëtimin e gjatë të sezonit. Nga Vllaznia pritet ende më shumë në javët e ardhshme, sidomos në konsolidimin e vazhdimësisë dhe në përmirësimin e aspekteve që kanë mbetur problematike. Nëntë herë kampionët e vendit kanë ende shumë për të treguar, por dy fitoret e fundit dhe porta e paprekur japin sinjale se skuadra po nis të gjejë disa nga zgjidhjet që i kanë munguar deri tani.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments