Shkruar nga Endri ÇINARI
Emanuel Obina është padyshim një nga zbulimet e Vllaznisë në këto javë të kampionatit. Mesfushori nigerian, i afruar si një emër jo shumë i njohur për opinionin sportiv shqiptar, ka arritur të fitojë me shpejtësi besimin e stafit teknik dhe tashmë është shndërruar në një titullar të rëndësishëm për skuadrën shkodrane. Që prej mbërritjes së Csaba Laszlos në krye të pankinës, Obina ka marrë një rol gjithnjë e më të madh dhe performancat e tij kanë ardhur në rritje nga ndeshja në ndeshje.
Tekniku hungarez duket se ka parë te 19-vjeçari cilësi që i përshtaten filozofisë së tij të lojës, duke i dhënë hapësirë të konsiderueshme në formacion. Obina ka treguar energji, grintë dhe gatishmëri për të luftuar për çdo top në mesfushë, ndërsa pavarësisht moshës së re, është shfaqur gjithnjë e më i sigurt në detyrat e tij. Rritja e tij ka qenë e dukshme dhe tashmë prania e nigerianit në formacionin bazë nuk shihet më si një surprizë, por si një zgjedhje e natyrshme e trajnerit.
Edhe në përballjen e fundit ndaj Partizanit, Obina zhvilloi një paraqitje pozitive dhe ishte aktiv në duelet e mesfushës. Megjithatë, në minutat e fundit të sfidës, një moment impulsiv i kushtoi shtrenjtë, pasi mesfushori u ndëshkua me karton të kuq. Në një ndeshje ku po konfirmonte edhe një herë rritjen e tij, mungesa e eksperiencës në një moment të caktuar bëri që ai të linte skuadrën me një lojtar më pak, duke mos mundur ta përfundonte takimin në fushën e lojës.
Kartoni i kuq do ta penalizojë Obinën për sfidën e radhës ndaj Laçit, duke i hequr Lazslos një prej lojtarëve që në javët e fundit ka fituar statusin e titullarit. Mungesa e tij pritet të ndihet në një repart ku Vllaznia ka nevojë për energji dhe intensitet, ndërsa tekniku hungarez duhet tashmë të gjejë zgjidhjen e duhur për të mbuluar boshllëkun e krijuar nga pezullimi i nigerianit.
Në këtë situatë, pritet që gara për një vend në formacion të bëhet mes Qatos dhe Mehmetit. Të dy lojtarët janë alternativa që mund t’i japin Lazslos zgjidhje në mesfushë, ndërsa ditët para sfidës me kurbinasit do të përcaktojnë se cili prej tyre do të fitojë avantazhin për të nisur nga minuta e parë. Rivaliteti për këtë pozicion pritet të jetë një nga dilemat kryesore të teknikut hungarez në përgatitjet për ndeshjen e fundjavës.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


