Shkruar nga Gjergj KOLA
Mesfushori Rikardo Ndreu pas disa kohësh larg fushës së blertë për shkak të disa problemeve shëndetësore është rikthyer sërish në fushën e lojës me skuadrën e tij Genoa dhe madje menjëherë si protagonist.
17 vjeçari me origjinë nga Pirajt e Lezhës në ndeshjen e fundit ndaj Lacios ka shënuar golin e fitores për Genoa-n, atë që vulosi rezultatin 3-2 në favor të saj. Një gol që e ka ekzaltuar pa masë Rikardon i cili duket se e kishte vuajtur shumë aromën e golit dhe largësinë nga fusha e blertë.
Një aksident i ndodhur disa kohë më parë, e la atë rreth 6 muaj larg futbollit por falë punës dhe pasionit të tij të madh për këtë lojë magjike, ka arritur të jetë sërish pjesë e skuadrës dhe madje një pjesë e rëndësishme e Genoa U18, ashtu siç ka qenë edhe më përpara.
Forma e tij tashmë është maksimale dhe vetë Ndreu shpreson të vazhdojë të luajë në këtë mënyrë, për të qenë pjesë e rëndësishme e këtij ekipi, por edhe për t’u rikthyer edhe tek ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë ku ka qenë edhe më përpara.
I datëlindjes 07.08.2009, Rikardo Ndreu e ka nisur futbollin që në moshën 7 vjeçare tek klubi i Cogoletos, vend ku dhe jeton. Me këtë ekip ka luajtur për tre vite me rradhë dhe në rolin e mbrojtësit. Më pas ka kaluar tek Arenzano FC ku luan tashmë si mesfushor. Ndërsa prej gati katër vitesh, Rikardo është bërë pjesë e Akademisë së Genoas ku tashmë luan me ekipin U18 të tij.


