Laçi vazhdon “thatësirën” në Superiore, 5 ndeshje radhazi pa fitore. Para disa minutash, bardhezinjtë barazuan 0-0 ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”. Qatip Osmani, në pozitën e trajnerit të Laçit, foli për mediat pas këtij dueli, duke u ndalur në pika të caktuara:
“Nuk duhet të jem i kënaqur me 1 pikë, por më mirë sesa humbja. Krijuam disa raste, patëm disa shtylla. Jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve dhe atë çka treguam në fushë.
Shpresojmë që ky barazim do të na japë një motiv shtesë dhe për të vazhduar përpara. Ne kemi pasur edhe probleme me lëndimet. Hapja e vijave tona u vërejt në sulmin tonë. Edhe mbrojtja nuk e ndiqte topin.
Në disa raste rrezikuam portën. Kemi punuar për të përmirësuar finalizimin. Sot dhamë një shenjë me këto raste që patëm për gol.
Ne luajmë mirë, por humbim. Ndoshta njëherë është më mirë të luash dobët dhe të marrësh pikë. Neve na mungon lojtari i golit, këtë e kam konstatuar edhe me presidencën”.


