Vllaznia “B” ka pësuar humbjen e tretë rradhazi. Pasditen e sotme ajo është mundur me rezultatin e thellë 0-4 nga Partizani “B” në ndeshjen e luajtur në Arbanë të Tiranës. Një ndeshje për t’u harruar për kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi.
Gjithçka është vulosur që në pjesën e parë kur të kuqtë kanë shënuar tre gola njëri pas tjetrit. Dy pret tyre mbajnë firmën e sulmuesit lezhjan Rrok Toma, ndërsa tjetri është shënuar nga shkodrani që luan për Partizanin, Nebi Qokthi,
Në pjesën e dytë ka patur vend edhe për një gol të katërt me autor Ogunleye ndërsa në minutat e fundit të ndeshjes mesfushori i Vllaznia “B” Sabion Bizi ka humbur një 11-metërsh duke mos arritur ta shënojë dot golin e nderit për ekipin e tij.
Në këtë mënyrë ekipi shkodran pas një starti të shkëlqyer ku arriti 6 fitore në 6 ndeshje, tashmë po kalon një moment të vështirë dhe si rrjedhojë sot pësoi humbjen e tretë rradhazi pas atyre me Basanin dhe Luzin. Megjithatë vazhdon të mbajë vendin e dytë në renditje duke qenë brenda objektivave të tij.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


