Tek Vllaznia e këtij sezoni po flitet për dy gjëra: Një skuadër shumë sulmuese dhe një mbrojtje me probleme. Por një ish- futbollist, pikërisht Arbër Abilaliaj, duke folur në lidhje me ecurinë e kuqebluve, ka nxjerr në dritë një tjetër problem që sipas tij shqetëson këtë skuadër:

“Vllaznia vërtetë ka shtuar cilësinë në rradhët e saj, por ka humbur diçka në mesfushë. Skuadra e vjetshme ka qenë më e lidhur në mes reparteve me një gjysëmsulmues që ka qenë Imeri i cili sëbashku edhe me Markun e mbanin më mirë mesfushën.

Megjithatë kanë shtuar kualitetet në linja dhe në sulmuesit e krahut. Kjo gjë ka prishur disi ato ballancat që kishte skuadra në fushë kur ishte më kreative në 30 metrat e fundit.

Sivjet duhet të rregullojë sërish disa gjëra në mesfushë. Mendoj që Vllaznia do të kthehet në formën e saj më të mirë, por mesfusha e saj duhet të kujdeset pak më shumë. Lojtarët që luajnë në këtë repart, janë voluminozë, por u mungon shpejtësia në kryerjen e veprimeve.

Por ajo që më gëzon te Vllaznia është fakti se duke qenë sërish i njëjti trajner si vjet, vazhdon atë programin e tij dhe lojtarët tashmë janë mësuar me këtë gjë dhe u takon tashmë të bëjnë diçka më shumë. Pritshmëritë e drejtuesve me të drejtë janë të larta dhe stafi duhet t’u përgjigjet për t’i dhënë rezultatet e duhura.

Kuptohet që do të ketë edhe luhatje, për më tepër nisur edhe nga kushtet jo të mira stërvitore të skuadrës, por jam i bindur se Vllaznia ka për të bërë mirë këtë sezon”- është shprehur ai./SHKODRA-SPORT.COM/