Zakonisht, kombëtaret më të lakuara për t’u ftuar në edicionin e Copa America janë SHBA, Meksika, Kanadaja ose Xhamajka. Ky do të jetë edicioni i 46-të i këtij kompeticioni. Edicioni i shkuar u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u fitua nga Kili, ndërsa Meksika merr pjesë në këtë turne vazhdimist që prej vitit 1994.
Por, pyetja është: pse këtë vit nuk marrin pjesë kombëtare të Amerikës së Veriut? Sepse këtë vit, Gold Cup (kompeticioni i vendeve të Amerikës së Veriut) do të zhvillohet në të njëjtat data me Copa America, duke e bërë të pamundur “huazimin” e dy skuadrave.
Ja pse zgjedhja ka rënë mbi dy përfaqësuese aziatike: Japonia dhe Katari. Për Japoninë nuk është hera e parë që marrin pjesë në këtë turne amerikanojugor. Ishin ftuar edhe në vitin 1999, duke e mbyllur në vend të fundit në grup me një barazim dhe dy humbje.
“Dragonjtë blu” kanë zhvilluar megjithatë një Botëror të mirë në Rusi dhe mund të jetë surprizë. Për Katarin, sakaq, bëhet fjalë për debutimin absolut në turne. Në prag të Botërorit 2022 – që do të zhvillohet pikërisht në vendin katariot – CONMEBOL ka vendosur të ndihmojë kombëtaren e Lindjes së Mesme që të përgatitet në mënyrë të përshtatshme turneun më të bukur në botë, duke i dhënë mundësinë e Copa America.
Sakaq, Katari është dhe fitues i freskët i Kupës së Azisë, e para në histori, duke mundur pikërisht Japoninë në finale./telesport/