Skuadra velipojake nuk ka arritur të dalë me fitore në ndeshjen e sotme me Tërbunin, ndeshje kjo e luajtur në stadiumin “Ismail Xhemali” të qytetit të Pukës. Rezultati përfundimtar i fiksuar në fund të 90 minutave ka qenë 2-2. Takimi është shoqëruar nga një luftë e fortë sportive. Pukjanët ende kishin pretendimet e tyre për një vend të dytë në tabelën e renditjes, vend që do t’i çonte në Superligë në fund të sezonit. Nga ana tjetër, velipojakët donin fitoren ngaqë ndodhen në pozita aspak të mira në renditje. Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë shumë e dobët, pa raste dhe për rrjedhojë është mbyllur në barazim 0-0.
Në të dytën, gjërat ndryshojnë. Tërbuni i pakënaqur me barazimin hidhet në sulm dhe arrin të kalojë në avantazh me anë të Jevdjeviç në minutën e 56-të pas një dalje jo të mirë edhe të portierit Selimaj. Por avantazhi i vendasve nuk ka zgjatur më shumë sesa dy minuta. Dushkaj fiton një goditje dënimi në hyrje të zonës dhe Lini ekzekuton në mënyrë perfekte atë duke e dërguar topin në rrjetë. Duket se ndeshja do të shkonte drejt barazimit megjithatë në minutën e 76-të Tërbuni fiton një 11-metërsh pas pengimit të Grecës brenda zonës nga Isufit. Jevdjeviç është i saktë nga pika e bardhë dhe 2-1. Përveç golit, vendasit kanë mundësi të shënojnë edhe një gol të tretë madje në një moment topi ndalet nga traversa dhe kur duket se ndeshja do mbyllej me fitoren e tyre, është Dushkaj që shfrytëzon një dalje të gabuar të portierit Kuka dhe e dërgon topin në rrjetë. Ndodh kështu në minutën e 87-të dhe deri në fund është Ada që kërkon edhe golin e tretë, atë të fitores por nuk ia arrin. Përfundimisht barazim 2-2 në takimin e sotëm.
Tërbuni- Ada 2-2
Tërbuni: Kuka, Mehmeti (Baholli 80′), Antiç, Kllogjeri, Stefanoviç, Hithi (Metani 79′), Todoroviç, Jevdjeviç, Greca, Tasiç (Saliaj 87′), Pepaj. Tr: V. Gjoni.
Ada: Selimaj, Hoti, Isufi, Tota (Zefi 88′), Doçi, Tafa, Lini, Ferlushkaj (Jacaj 62′), Erkoçeviç, Dushkaj, Mujeci (Puka 46′). Tr: R. Kulli
Shënues: Jevdjeviç 56′, 76′ (11-m)/ Lini 58′, Dushkaj 87′
Gjyqtarë: H. Llapra, E. Rrapi, E. Pucaj (Vlorë)
Kartona të verdhë: Jevdjeviç, Stefanoviç/ Doçi, Ferlushkaj
Gjergj KOLA