Pasditën e sotme, Ada e Velipojës do të zhvillojë ndeshjen e javës së 20-të ndaj Bulqizës, në fushën sportive Adriatik në Velipojë, në ora 15:00. Në prag të kësaj sfide, trajneri i ekipit të Adës, Arbër Shytani ka dhënë një prononcim për “Shkodra Sport”, ku ka folur në lidhje me këtë ndeshje dhe përgatitjet e skuadrës.
Trajneri Shytani u shpreh se dëshiron që skuadra të bëjë një fitore me një rezultat të kënaqshëm në këtë ndeshje, teksa theksoi se do të futen në fushë vetëm për një rezultat pozitiv.
Shytani zbuloi se portieri Besnik Ndoj nuk do të jetë pjesë e ekipit për këtë ndeshje, ndaj Bulqizës, duke dhënë edhe arsyet se pse nuk do të jetë me ekipin e Adës. Trajneri velipojak thekson se Bulqiza nuk duhet nënvlerësuar, teksa foli edhe për avantazhin që mund të krijojë faktori fushë në ndeshjen e sotme.
“E kemi shprehur edhe në javët e kaluara, që çdo ndeshje për vetë pozitën që kemi në renditje, është shumë e rëndësishme për ne.Kemi pasur kohën e mjaftueshme për ta përgatitur këtë ndeshje, edhe për faktin se kishim një javë më shumë për të punuar dhe shpresoj që ta finalizojmë me një rezultat të kënaqshëm.
Të them të drejtën, kemi disa mungesa për arsye dëmtimesh dhe kartonësh, siç është kapiteni Ndoj, por mendoj se kemi një grup të kompletuar, që do dijnë të japin maksimumin, duke mbuluar me mënyrën e duhur mungesat, që në fundin e sezonit, mendoj se janë problem për çdo ekip.
Nuk mendoj se ka lënë pasoja nga ana psikologjike ndeshja e fundit ndaj Orikut, pasi ekipi zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë me vendin e parë të renditjes, paçka humbjes në minutat e fundit, por ato që kanë lënë, pasoja janë kartonët e marrë në atë ndeshje ndaj Orikut dhe si rrjedhojë, kanë bërë të kemi dy mungesa për arsye kartonësh.
Mendoj se përgjigjia më e mirë janë rezultatet e fazës së dytë, ku kanë qenë shumë ndryshe, po t’i krahasojmë me fazën e parë, ç’ka tregon se këto sportistë po rriten dita-ditës. Unë shpresoj që ky grup lojtarësh të mbyllin një sezon në mënyrë sa më të mirë, pasi do të ishte shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e tyre.
Nuk kemi rrugë tjetër vetëm të futemi në fushë për fitore dhe sigurisht që fakti që luajmë në fushën tonë është një avantazh, por jo i mjaftueshëm. Kështu që, nesër pres të shoh një ekip shumë të motivuar dhe me shumë dëshirë për të arritur te fitorja, që për ne është shumë e rëndësishme”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Adës, Arbër Shytani.
Maringlen ZHIVANI