Afrimi Alban Xhaferit pranë Vllaznisë, por edhe i të tjerëve që priten në vazhdim, ka bërë që të shtohet interesi për këtë klub dhe si rrjedhojë duket se ky është momenti më i mirë që Bashkia Shkodër të nisë procedurën për privatizimin e tij.
Dhe hapat e parë në këtë drejtim duket se janë marrë tashmë. Ka qenë vetë kryebashkiakja Voltana Ademi ajo që e ka dhënë këtë lajm gjatë një prononcimi në emisionin “Studio e Hapur” në TV Star Plus ku ka qenë e ftuar ditën e sotme kur është shprehur:
“Kemi bërë gati relacionin për ta privatizuar 100 për qind Vllazninë. Këshilli Bashkiak ka patur dhe ka edhe sot mundësinë që të analizojë raportin të cilin i kemi dërguar që në vitin 2018 të hartuar nga ana e ekspertëve dhe po ashtu, ka dy shkresa të dërguara nga ana ime në vitet 2018 dhe 2019.
Ka patur mundësinë ta marrë në shqyrtim atë kërkesë. Tani do të bëj edhe një hap më tutje, për të qenë edhe më konkrete, të bëj propozimin për të privatizuar 100 për qind të aksioneve, ashtu sikurse edhe ligji në Parlament
Kryebashkiakja ka folur sërish edhe për problemin e donatorëve të rinj që mund të vijnë shumë shpejt në klub. “Për momentin kemi dy të interesuar, ka edhe të tjerë dhe do të publikohen kur të konkretizohen marrëveshjet me to.
Ka edhe prej atyre që kanë sponsorizuar edhe më përpara Vllazninë, ka edhe të huaj dhe përderisa ka tashmë interes për të qenë pranë saj, mendoj se është hapi i duhur për të hapur procesin e privatizimit dhe nuk do të humbim kohë, por ta nisim sa më shpejt atë”./SHKODRA-SPORT.COM/