I ftuar mbrëmë në studion e Star Sport ishte edhe trajneri i Ades, Arber Shytani. Ish-mbrojtësi foli për humbjen e fundit të Vllaznisë kundër Kastriotit në shifrat 1-2. Ai theksoi se pritet më shumë nga disa futbollistë të veçantë dhe se tek shkodranët lojtarët duhet të tregojnë karakter për tu larguar nga kriza.

Shytani u shpreh: “Realisht nuk e prisja këtë humbje të Vllaznisë kundër Kastriotit. Por di të them se krutanët nuk vodhën asgjë. Erdhën dhe luajtën fort duke treguar grintë dhe ndoshta morën më shumë se për çfarë ishin nisur në fillim.

Skuadra e Vllaznisë u shpërfytyrua komplet, pavarësisht se gjeti golin e avantazhit, ekipi nuk zhvilloi ndonjë lojë dominuese. Ku nuk po arrinte të çante murin e Kastriotit. Të gjithë aty duhet të tregojnë karakter dhe të kujtohen se çfarë ekipi dhe qyteti përfaqësojnë për të dalur nga kjo krizë.

Pritet shumë nga futbollistë të veçantë si Latifi apo Da Silva që realisht në periudhën e fundit nuk kanë qenë në formën e duhur. Duhet që dikush ta udhëheqë skuadrën me lojën dhe kualitetet e tij.”
Endri ÇINARI