Demir Imeri është shndërruar në një protagonist të rëndësishëm me lojën, asistet dhe gola e tij për ekipin e Vllaznisë. Ndonëse në fillim tifozët mund të kenë qenë edhe skeptikë për shqiptarin e Maqedonisë së Veriut, në fakt duket se kemi të bëjmë me një lojtarë shumë të mirë.
Madje, një shqiptar tjetër- Mevlan Adili, i cili e njeh mjaft mirë këtë lojtar, mendon se Imeri ende nuk ka dhënë maksimumin e tij sepse ai ëshë në gjendje të luajë edhe më mirë, ndonëse ka shënuar 3 gola deri tani dhe ka dhënë 5 asiste, më shumë se të gjithë në kampionatin shqiptar.
Duke folur për “Shkodra Sport”, mbrojtësi i kuqebluve do të shprehej: “Demir Imerin e njoh mirë sepse edhe tek Shkëndia e Tetovës kemi luajtur bashkë për gati një vit. Kur në fillim të sezonit drejtuesit më pyetën për të, sigurisht që fola fjalë të mira duke menduar se do të na ndihmonte me aftësitë e tij, atmosferën, traditën e futbollit shkodran sepse në fakt nuk ka ndonjë dallim në mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me shkodranët.
Unë e them me plot bindje se Vllaznia është me fat që ka një futbollist me këto cilësi si Demir Imeri. Madje mendoj se ai ende nuk është në maksimumin e tij dhe e di se çfarë mund të bëjë ai për ekipin. Shpresoj shumë që ai të kapë 100 përqindshin e tij dhe të gjithë të shohin se për çfarë kualiteti bëhet fjalë.
Demiri i ka kaluar të gjitha moshat e ekipeve kombëtare të Maqedonisë dhe në moshën 17 apo 18 vjeçare, nuk e di saktë, ai është blerë nga Shkëndia e Tetovës 50 mijë euro. Pastaj kur shkoi aty, ishin në modë paratë dhe nuk i vlerësonin të rinjtë, por unë siç e thashë, besoj shumë në aftësitë e këtij lojtari”./SHKODRA-SPORT.COM/