Që nga dita e sotme Suad Lici është zyrtarisht administrator i Klubit të Futbollit Vllazniaa. Një emërim që pritej në fakt ngaqë prej ditësh është aluduar për një gjë të tillë.

Megjithatë ulja në këtë post e kësaj figure të njohur të futbollit shkodran dhe shqiptar padyshim që mbart në vetvete edhe shumë enigma në lidhje me arsyet që e çuan atë në pranimin e kësaj oferte të drejtuesve të lartë të klubit.

Sot Lici nuk është shprehur për mediat megjithatë nesër ai do të dalë përpara gazetarëve në një konferencë për shtyp ku do të shpalosë edhe objektivat e punës së tij.

Në këtë konferencë do të shpjegojë edhe shumë gjëra që kanë të bëjnë me mënyrën si do të punojë, për emërimin e trajnerit të ri dhe të tjera detaje që ai do të zbulojë në lidhje me Vllazninë e sezonit të ardhshëm.
© shkodrasport.com