Vllaznia hyn në grupin e skuadrave që është ndër më të penalizuarat në Shqipëri. Madje, në sfidën e fundit në Kukës, ekipi u penalizua shumë, duke mos iu akorduar një penallti e pastër.

Një ndërhyrje e rëndë ndaj Sukajt nuk u konsiderua 11-metërsh nga gjyqtari Hamiti, që ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes, pasi në atë moment sfida ishte 1-0 për Kukësin.

Në forumin e organizuar dje nga gazeta “Panorama Sport”, administratori i Vllaznisë, Astrit Gjyrezi, dha opinionin e tij se pse është penalizuar kaq shumë skuadra shkodrane, në një kohë që dha edhe opinionin e tij se si mund të dilet nga kjo situatë.

DEKLARATA

“Rritja e nivelit profesional të arbitrave do të ishte pika numër një për të pasur një gjykim sa më korrekt në ndeshjet në Shqipëri.

Mendoj se në momente të caktuara, arbitrat mund të kenë edhe paaftësi profesionale, ashtu siç ka edhe gabime me dashje në një përqindje të caktuar. Ne e shohim edhe në botë që arbitrimi ka probleme, por këtu në Shqipëri po ekzagjerohen më shumë.

Kjo është hera e parë që ne reagojmë, pasi gjithçka arriti kulmin.

Nuk është çështje vetëm e një ndeshjeje me Kukësin, por frika për vazhdimësinë pasi është ende edhe një fazë për t’u luajtur”, u shpreh fillimisht Gjyrezi, kur u pyet për shkakun e kaq shumë gabimeve vendimtare të gjyqtarëve në dëm të Vllaznisë.

Ndërsa, i pyetur se pse Shkodra nuk ka një arbitër që të jetë i rëndë- sishëm, Gjyrezi përgjigjet: “Kjo është një temë shumë interesante.

Shkodra ka pasur gjithmonë gjyqtarë dhe ka promovuar duke qenë ndër qytetet nismëtare të arbitrimit. Por, çuditërisht tani Kolegjiumi i Shkodrës nuk prodhon gjyqtarë.

Ose nuk duan që t’i promovojnë, ose nuk janë të aftë, kjo është një pikëpyetje e madhe”, përfundoi reagimin e tij për gazetën, administratori i Vllaznisë, Astrit Gjyrezi.

Klubi shkodran reagoi në lidhje me arbitrimin e sfidës ndaj Kukësit nga gjyqtari Eldorian Hamiti.

Në takimin përballë kampionëve, Vllaznisë nuk iu akordua një penallti e pastër, ndërsa një prej mbrojtësve kuksianë bëri një ndërhyrje të denjë për sportin e mundjes ndaj Xhevahir Sukajt, por për arbitrin nuk kishte penallti.

Hamiti u bë përcaktues i rezultatit të asaj ndeshjeje pasi në atë moment të ndërhyrjes ndaj Sukajt, rezultati ishte 1-0 për Kukësin. Situata është shqetësuese, ndërsa ka mbetur vetëm një fazë për t’u luajtur dhe gara po bëhet e ethshme nga java në javë.