Sfida e së dielës me Teutën konsiderohet shumë e rëndësishme por njëkohësisht edhe e vështirë për Vllazninë. Fakti që luhet në Shkodër favorizon Vllazninë megjithatë administratori i saj Suad Lici në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” e ka konsideruar një moment të mirë atë që po kalon skuadra. Po ashtu ai ka folur edhe për Hygor, tifozët dhe merkaton e janarit.
“Kjo është një ndeshje e vështirë, por në shtëpinë tonë nuk ka asnjë mëdyshje që do të kërkojmë si gjithnjë vetëm fitoren. Gjendja e skuadrës është e mirë dhe kjo të bën të shpresosh. Megjuthatë, gjithçka duhet t’i lihet fushës së lojës”- ka thënë ai.
HYGOR
I pyetur ndërkohë në lidhje me brazilianin Hygor që siç dihet prej 10 ditësh ndodhet pranë familjes së tij, administratori i Vllaznisë është shprehur: “Një situatë të tillë askush nuk e dëshiron, besoj se as vetë lojtari. Na vjen keq për nënën e tij, por e mirëkuptojmë mesfushorin. Para familjes, asgjë nuk të hyn në sy. Për ne Hygor është një lojtar i rëndësishëm. Madje, do të thosha një pikë shumë e mirë referimi e skuadrës në mesin e fushës. Shpresoj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt dhe me sukses. Lojtari me të zgjidhur këtë problem, do të jetë në Shkodër”.
TIFOZËT
Shkodranët gjithmonë e kanë mbështetur ekipin e tyre dhe administratori Lici beson se mbështetja nuk do të mungojë as këtë herë. Ndonëse tribuna VIP do të jetë e mbyllur prej dënimit të dhënë nga Disiplina. Megjithatë tifozët pritet të mos mungojë as ndaj Teutës. Në lidhje me to, Lici shprehet: “Ne dëshirojmë që tifozët tanë të jenë të shumtë pasi janë një shtysë për ekipin.
Ata janë lojtari i 12-të për ne, por nga ana tjetër, shpresoj se ndëshkimet që kemi marrë të na shërbejnë të gjithëve si mësim. Duhet të tregohen më të vetëpërmbajtur, pasi çdo send i hedhur në fushë nuk i vlen Vllaznisë. Përkundrazi, është në dëmin tonë. Ne po marrim të gjitha masat që të mos ketë asnjë problem në këtë drejtim”.
MERKATO
Janari po afron dhe të gjithë presin çfarë do të ndodhë me merkaton. Vllaznia ka nevojë për përforcime por në lidhje me këtë çështje, numri 1 i klubit është shprehur: “Të flasim që tani është herët, për më tepër të përmendim emra. Ne po punojmë por ka ende kohë. Duhet të mbyllim javët e mbetura nga viti kalendarik dhe të bëjmë analizat tona dhe më pas edhe të veprojmë. Po punohet dhe shpresojmë të realizojmë atë që dëshirojmë”.
© shkodrasport.com