Pep Guardiola nuk është dakord me mendimin e Jose Mourinho se Manchester City e ka fituar titullin kampion në Premier League. Mourinho tha se objektivi i tij do të ishte vendi i dytë, pasi City kryeson me 15 pikë kur kanë mbetur edhe 13 ndeshje nga fundi.

Por trajneri i Manchester City nuk është dakord me diçka të tillë, sepse duhen edhe tre muaj për t’u mbyllur kampionati dhe kalendari i “qytetarëve” nuk është aspak i lehtë.

“Ka edhe 13 ndeshje të tjera për t’u luajtur dhe me 39 pikë në lojë asgjë nuk është mbyllur, – tha Guardiola. – Na kanë mbetur shumë ndeshje të vështira për të luajtur, duke nisur nga kjo e shtunë në fushën e Burnley.

Askush nuk mund ta mohojë se është një ndeshje e vështirë. Më pas kemi me radhë Stoke, Tottenham, Arsenal, United, Everton dhe Chelsea. Padyshim që mendoj se gara për titullin është e hapur.”

David Silva është në dyshim për ndeshjen në Burnley dhe Pep Guardiola paralajmëron të besuarit e tij për kërcënimin që paraqet sfida me të besuarit e Sean Dyche.

“Ne luajtëm shumë mirë ndaj tyre në FA Cup, por kjo do të jetë një sfidë krejtësisht ndryshe nga ajo në Etihad. Mendoj se është një nga ndeshjet më të vështira të sezonit. Ne duhet të fitojmë duelet ajrore dhe të kapim topat e kthyer.

Gjithashtu të bëjmë kujdes në çdo goditje nga këndi, përndryshe Vokes ose Barnes, mund të na ndëshkojnë,” – përfundoi trajneri i Manchester City./telesport/